Intimiteti në kinemanë e Kinostudios
Është i dyti prezantim që i bëhet ekspozitës “Teritorri i Intimitetit” i artistes gjermane Verena Kyselka. Sonte në orën 19.00 në Galerinë “Ibrahim Kodra” në MTKRS, Kyselka paraqet ndikimet që diktatura dhe izolimi i shqiptarëve pati në marrëdhëniet ndërpersonale. Kampioni që ajo ka shfrytëzuar për një analizë të tillë janë filmat shqiptarë, prodhime të ish-Kinostudios, të cilëve iu është hequr ai “territor intimiteti” që gjendet në çdo vepër arti. “Ky ndalim ndikonte natyrisht edhe mbi filmin si mjet i kontrolluar e i censuruar nga shteti. Momentet erotike të një çifti të dashuruar të lejuara për t’u shfaqur kufizoheshin në shikime, prekje të lehta dhe përqafime të shkurtra. Ndërkohë që në këta filma mund të gjesh më tepër prekje, e madje puthje mes burrash. Lejohej e ashtuquajtura puthje vëllazërore, e cila nënkuptonte miqësi, paqe dhe solidaritet”,- shpjegon Kyselka.