Mitmarrja, pacientët kanë frikë të denoncojnë mjekët
Sipas drejtorisë së QSUT-së, pacientët nuk i bëjnë ankesat me shkrim. Pacientë: Kemi frikë se mjekët hakmerren
Pacientët kanë frikë të denoncojnë mitmarrjen e mjekëve, pasi këta të fundit mund të hakmerren, duke i neglizhuar. Madje, sa herë që u kërkohet që ankesat e tyre të jenë të shkruajtura dhe firmosura, pacientët tërhiqen nga akuzat ndaj bluzave të bardha, duke sjellë që këto akuza të mos faktohen. Megjithëse Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka një zyrë që pret ankesat e pacientëve, rrallherë ndodh që këta të fundit të marrin guximin dhe të denoncojnë bluzat e bardha. Nëndrejtori i QSUT-së, Xheladin Dreçani, pohon se e kanë shumë të vështirë të verifikojnë mitmarrjen e mjekëve, pasi kjo bëhet në mënyrë të fshehtë mes pacientëve dhe bluzave të bardha.
Frika
E dinë se për shërbimin që marrin nuk duhet të paguajnë, por përballë presionit dhe sekserëve për të paguar për shëndetin e të afëmeve të tyre, nuk dorëzohen. Megjithëse drejtoria e QSUT-së pohon se janë në dijeni të fenomenit të mitmarrjes në spital, por dorëzohen për t’i bërë ballë sfidës që t’i vënë fre atij. “Problemi është se në zyrën e marrëdhënive me publikun, pacientët nuk i bëjnë ankesat e tyre me shkrim për mitmarrje, ndaj, dhe në raste të tilla, është i vështirë ballafaqimi mes palëve”, - pohon Dreçani. Ndërkohë, pacientët pohojnë se kanë frikë të bëjnë denoncimet e tyre, pasi mjekët mund të hakmerren. “Na ndodh shpesh që mjekët të na drejtojnë drejt klinikave private apo farmacive, duke na dhënë adresa ekzakte për të kryer shërbime, ndonëse këto duhet t’i ketë vetë spitali. Ndërsa çmimet e operacioneve i marrim vesh edhe nga infermieret që luajnë rolin e seksereve. Në këto raste nuk kemi si t’i denoncojmë, sepse fundja na kanë në dorë, se nuk na shërbejnë siç duhet”, - pohon njëri nga pacientët, duke shtuar se tashmë ky fenomen ka gjetur terren aq shumë, sa është e vështirë t’i jepet fund.
Kontrollet
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka dalë të bëjë kontrolle në spital për mitmarrjen, ndonëse duket një mision pothuajse i pamundur në këto kushte. Sipas nëndrejtorit, Xheladin Dreçini, e kanë të pamundur të verifikojnë raste të mitmarrjes së mjekëve ndaj pacientëve, ata negociojnë në mënyra të fshehta që është vështirë t’i zbulosh. “Ne u bëjmë apel të gjithë pacientëve që të mos paguajnë për shërbimin që marrin në spital, pasi ai është falas. Le të denoncojnë çdo rast të mitmarrjes, pasi mjeku është i detyruar të japë shërbim shëndetësor korrekt ndaj pacientëve”, - pohoi Xheladin Dreçani.
Mjekët : Profesionistët në burg, pacientët vizitë te marangozët
Futja e profesorëve me emër në burg, do të sjellë që pacientët të mos marrin shërbim të specializuar. Kështu shprehen disa nga mjekë të QSUT-së në lidhje me arrestimet e kirurgëve me emër si, Kastriot Dautaj dhe Agim Karaj, të cilët mendojnë se probelmet emitmarrjes mund të rregullohen vetëm duke rregulluar sistemin shëndetësor, pasi ky sistem është i kalbur dhe faji nuk është i mjekëve. “Nuk është se në vendin tonë kirurgët profesionistë janë me shumicë, kështu që përsëri pacientët do t’i vuajnë pasojat. I bie që të shkojnë tashmë te marangozët e jo të profesionistët”, - pohojnë disa nga mjekët e QSUT-së, duke shtuar se taktika që po përdoret me arrestimin e bluzave të bardha, nuk është e drejtë.