Kombëtarja, Hani grumbullon shkodranët Lika dhe Sukaj
Trajneri i kombëtares, Ari Han, ka publikuar dje listën e lojtarëve që do të grumbullohen për miqësoren me Azerbajxhanin, më 19 nëntor. Eshtë konfirmuar mungesa e sulmuesve Edmond Kapllani dhe së fundi ajo e Hamdi Salihit, gjithashtu e mesfushorit Jahmir Hyka dhe e mbrojtësit Andi Lila, të cilët kanë qenë pjesë e kombëtares që nga fillimi i ndeshjeve eliminatore të botërorit. Katër mungesat, trajneri kuqezi i ka kompensuar me thirrjen e dy futbollistëve të spikatur shkodranë, mesfushorit Gilman Lika dhe sulmuesit Xhevahir Sukaj, që aktivizohen me ekipin turk, Haxhetepe. Në njëfarë mënyre kombëtarja duket se është "shkodranizuar", pasi përveç tyre, pjesë e saj janë mbrojtësit Elvin Beqiri dhe Admir Teli, e pa dyshim golashënuesi Hamdi Salihi. Lika dhe Sukaj kanë qenë pjesë e padiskutueshme e kombëtares U-21 dhe i janë sugjeruar trajnerit Han nga kolegu i Shpresave, Artan Bushati. Miqësorja me Azerbajxhanin do të jetë mundësia më e mirë për ata, gjithashtu edhe lojtarë të cilët kanë qëndruar në stol në ndeshjet e fundit eliminatore. Këtë e ka shprehur vetë trajneri kuqezi, ndërkohë që arsyet e lënies jashtë të katër lojtarëve mbeten për t'u thënë nga holandezi. "Hykën dhe Kapllanin nuk i ka grumbulluar, pasi ata s'janë aktivizuar në klube,"- tregojnë burime në FSHF, ndërsa për Lilën dhe Salihin nuk ka ndonjë gjë konkrete, edhe pse për t'u përmendur është fakti që sulmuesi ka qenë i dëmtuar kohët e fundit. Ndërkohë, nisja e kombëtares drejt Azerbajxhanit do të bëhet tri ditë para miqësores, që do të luhet në Baku.
Kuqezinjtë e thirrur për Azerbajxhanin
Portierë
Arjan Beqaj (Anorthosis)
Isli Hidi (Alqi)
Sajmir Ujkani (Palermo)
Mbrojtës
Armend Dallku (Vorskla)
Debatik Curri (Vorskla)
Kristi Vangjeli (Aris)
Elvin Beqiri(Vllaznia)
Admir Teli (Haxhetepe)
Endri Vrapi (Elbasani)
Mesfushorë
Lorik Cana (Marsejë)
Altin Lala (Hanover)
Ervin Skela (Kotbus)
Klodian Duro (Omonia)
Ervin Bulku (Krivbas)
Gilman Lika (Haxhetepe)
Ansi Agolli (Tirana)
Elis Bakaj (Partizani)
Sulmues
Erion Bogdani (Kievo)
Besart Berisha (Rosenborg)
Xhevahir Sukaj (Haxhetepe)