Ngujimi i Shqipërisë së gëzuar
Në sallën “Kadri Roshi” në Teatrin Kombëtar, sallë e cila nderon portretin e ikonës së skenës dhe kinematografisë shqiptare, prej pak ditësh është instaluar skenografia e një shtëpie me kullë vrojtimi brenda, me dritare “të qepura” me dërrasa, me muret rrethues që mbajnë të izoluar fëmijë dhe nëna “të neveritur” nga pesha e gjakmarrjes.
Fituese e Çmimit Drama më e mirë Shqipe për vitin 2007, komedia serioze “Allegretto Albania” e Stefan Çapalikut, me regji të Altin Bashës, prodhim i Teatrit Kombëtar, shfaqet sonte, nesër dhe më 9 nëntor.
Ngjarja, me protagonist aktorin Mirush Kabashi, vendoset në kohën kur jashtë kësaj shtëpie, ka nisur stina koncertore “Allegretto Albania”. Personazhet e kësaj shtëpie dhe ata që hyjnë e dalin aty, misionarë shoqatash bamirësie apo intelektualë, japin një trajtë të deformuar të fenomenit të gjakmarrjes i ngritur në kufijtë e groteskut. Interpretojnë aktorët Holta Dako, Gazmend Paja, Klea Konomi, Xhejni Fama, Ahmet Pasha dhe Vasjan Lami.
Komedia e zezë sjell fatin e familjeve të ngujuara edhe për motive krejt banale si në rastin e kreut të kësaj shtëpie, i ngujuar ngaqë beson se gjaku do të merret tek “më i miri i fisit”. Ndërkaq vrasësi i vërtetë është i lirë dhe të ngujuarit e shohin në televizor teksa kthehet nga misioni paqeruajtes në Irak. Në fund është vrasësi, ai që propozon edhe zgjidhjen, një plan arratie për në Greqi.