E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesat në spitale, pacientët i blejnë serumet

ELBASAN- Nga 80 mijë serume fiziologjike, që janë edhe nevojat në një vit të qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli”, nga tenderat, për këtë qëllim janë miratuar vetëm 7 mijë copë dhe qytetarët janë detyruar t’i blejnë në tregun privat. Sipas drejtorit të qendrës spitalore, Arben Paralloi, nevojat për serume janë, pasi ka një konsum të madh nga qendra e dializës, duke u penalizuar repartet e tjera të spitaleve. Vetë ai pranoi se gjendja për këtë vit e furnizimit me medikamente nuk ka qenë e mirë dhe shpesh pacientët janë dërguar t’i blejnë serumet në farmaci private. Me ndërhyrjen e ministres, Godo, brenda një kohe të shkurtër u siguruan medikamentet bazë që mungonin në një prej qendrave spitalore më të mëdha. Ndërkohë, për medikamentet e tjera, shumica janë lëvruar dhe pritet që në ditët në vazhdim të vijë edhe pjesa e munguar. Ndalja e fenomeneve abuzive ka bërë që drejtoria e spitalit të nxjerrë një urdhëresë që, kryerja e analizave biokimike për të sëmurët në spital, të kryhet vetëm nëpërmjet laboratorit shtetëror, duke evituar pagesat nga ana e pacientëve për laboratorët privatë. Po kështu, Paralloi deklaroi se do të penalizohen mjekët dhe personeli tjetër mjekësor që kalojnë kohën në kafenetë përreth spitaleve. Një tjetër nismë e ndërmarrë nga qendra spitalore, ka qenë edhe vendosja e kutive të ankesave për të pritur reagimet e qytetarëve ndaj mjekëve dhe personelit spitalor. Kushtet spitalore, sidomos për kirurgjinë dhe obstetrikun, kanë ulur ndjeshëm cilësinë e shërbimit spitalor. Pritet që vitin e ardhshëm të fillojë edhe ndërtimi i kompleksit spitalor kirurgji-obstetri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›