E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inva Mula: “Jam e dashuruar me Spanjën”



Petrika GROSI
Sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula, kohët e fundit do të interpretojë disa nga pjesët më të njohura operistike të Xhakomo Puçinit në Teatrin Maestranza të Seviljes në Spanjë, e më pas, edhe në Teatrin e Madridit. Një e përditshme spanjolle bën të ditur lajmin duke u shprehur se “sopranoja e famshme franko-shqiptare, Inva Mula do të interpretojë në një recital fragmente të operave të njohura të Puçinit, si ‘Turandot’ apo ‘La Boheme’, gjithashtu një përzgjedhje pjesësh nga Fernando Obradors të Franc Litcit”. E shoqëruar në piano nga Edelmiro Arnaltes, sopranoja Mula do t’ia dedikojë pjesën e parë të recitalit pjesëve të shkëputura nga CD-ja e saj më e fundit në treg “Reve d’amour”.
Por sipas së përditshmes spanjolle, do të jetë muzika e Puçinit “qershia mbi tortë” e mbrëmjes me Inva Mulën. Kështu, sopranoja shqiptare që ka triumfuar me heroinat puçiniane në skena të mëdha botërore do të prezantohet edhe para publikut dashamirës të muzikës lirike në Sevilje. Sa për operan “Toska”, ndonëse siç prononcohet Mula për median spanjolle është shumë e bukur, sopranoja nuk mendon që është momenti për ta interpretuar. Një tjetër lajm i mirë për sopranon shqiptare është se shumë shpejt ajo do të këndojë te “Rigoletto” në teatrin madrilen, Real. Në 2006-n ka qenë paraqitja e saj më e fundit në këtë skenë, ku ka korrur duartrokitjet e publikut me interpretimin e shkëlqyer në “La Boheme”. Sopranoja deklaron se ndihet e dashuruar me publikun e ngrohtë spanjoll: “Kush shkon në teatër, shkon për t’u dëfryer dhe jo për të kritikuar”, ndërkohë që Mula shton se “në këtë tokë, (Spanjë) gjendet një pasion i madh për jetën, muzikën, pastaj njerëzit janë kaq të dashur dhe kaq të ngrohtë...”.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›