VIZION PLUS. Mos humbni të rejat e Byppas-it sonte mbrëma me Agim Bajkon
Fundjava risjell në ekranet tuaja emisionin informativ satirik, “Bypass”. Lajmet, dukuritë, takimet e rëndësishme dhe ato më pak të rëndësishme nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së redaksisë së emisionit tuaj të së dielës mbrëma. Nëse dëshironi të kaloni disa minuta të këndshme dhe çlodhëse ndiqni Bypass-in e kësaj jave…
Redaksia emisionit ka zbuluar dhe me shumë dëshirë do t’u prezantojë njësinë më te re matëse. Cili është emri i kësaj “njësie”? Çfarë do të masë ajo? Cilën prej njësive të vjetra do të zëvendësojë? A do regjistrohet ajo në muzeun e masave?
Kush është krijuesi i saj? Përse e ka krijuar dhe a do të ndikojë kjo njësi e re në zvogëlimin e rrugës për në BE? Për të gjitha këto pyetje Bypassi ka gati një përgjigje. Kryefjala e javës që sapo kaloi ishin sondazhet. Një temë e tillë nuk mund t’i shpëtonte Bypass-it. Edhe redaksia e Bypass-it ka përgatitur një sondazh, që është testuar me sukses në shumë vende demokratike si bie fjala, Republika Demokratike e Kongos. Me një gabim tepër minimal, që shkon në plus, minus 30%, Bypassi ka zbuluar se kush do t’i fitojë zgjedhjet e qershorit. Doni ta dini? Nuk ju mbetet vetëm se ta shihni Bypass-in… Një organizatë ndërkombëtare në prag të zgjedhjeve u ka kërkuar të gjithë kandidatëve për deputet të publikojnë CV-të e tyre. Një e tillë ka përfunduar gabimisht në dorë të Bypass-it. Çfarë përmban ajo? Do ta zbuloni vetë…
Një vendim i qeverisë për të lejuar mbajtjen e perçeve dhe kryqeve në administratën publike ka bërë që kësaj të fundit t’i vijnë plot përgëzime. Bypassi ju sjell pamje ekskluzive të marra brenda ambienteve të një “institucioni” publik. Ndër vendet që nuk kanë firmosur marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, është edhe Holanda. Një personazh i ardhur prej këtij vendi do të rrëfejë për Bypass-in edhe arsyet përse ka ndodhur kjo vonesë dhe disa gjëra të tjera… Bypassi i kësaj jave sjell për të gjithë shikuesit e tij një rubrikë të re dhe një personazh të vjetër si dhe mjaft lajme të tjera. Për t’i zbuluar të gjitha e dini se çfarë duhet të bëni! Ju njoftojmë se orari dhe vendi i transmetimit për arsye objektive – subjektive mbetet i pandryshuar…
16 Shkurt 2009