Histori dhe anashkalime
Kështu shkruajnë autorë të ndryshëm, kur flasin rreth jetës së tij. Por ka të tjerë që thonë se kjo mund të jetë edhe një shaka, trillim për vetëmburje ose pohim i njëanshëm, sepse historiografia shqiptare nuk e përmend një zhvillim të tillë, nëse nuk e ka anashkaluar. Në hyrje të shtëpisë, ku ai lindi në Croydon, sot qëndron një pllakë përkujtimore, ndërsa qyteti i ka hapur një muze.
Astrit LULUSHI (SHBA)
1.
Në vitet 1930, ai njihej në mbarë Britaninë dhe shume njerëz në botë kishin dëgjuar për të. Emri i tij ishte Çarles Burgess Fry apo SiBi Fraj: polimath, sportist, politikan, diplomat, akademik, shkrimtar dhe, për shumë a për pak, u bë mbret.
Kur ai ishte 21 vjeç, mjaft i njohur si futbollist, revista Vanity Fair shkruante: “Ndonjehere atë e thërrasin SiBi, por kohët e fundit dikush ka propozuar që ai të quhet Çarlsi i tretë", pas Çarlsit të dytë, mbret i Anglisë 1630-1685.
Biografët e tij thonë se Çarls Fraj ishte gjithçka, autokrat, gjaknxehtë, egoist, prepotent, ekstravagant, zemërmirë, elegant, karizmatik e ndoshta anglezi më i talentuar i të gjitha kohërave.
Ai lindi më 1872 në jug të Londrës, u arsimua në Oksford, luajti futboll, regbi e kriket me skuadra të ndryshme britanike dhe të huaja, u mor me atletikë e mbajti për shume vite rekorde botërore në gara vrapimi të distancave të ndryshme. Në vitin 1934, Fraj vizitio Berlinin, u takua me Hitlerin, por nuk arriti të bindte Ribentropin që Gjermania të popullarizonte lojën e kriketit, nëse donte të provonte se raca gjermane ishte superiore.
Rreth moshës 60 vjeçare, atij i lindi ideja për t’u bërë edhe aktor. Shkoi në Hollivud, luajti në disa filma në role dytësore, por pa sukses. Fraj vdiq më 1956 në moshën 84 vjeçare.
Në hyrje të shtëpisë, ku ai lindi në Croydon, sot qëndron një pllakë përkujtimore, ndërsa qyteti i ka hapur një muze.
2.
SiBi Fraj (C.B. Fry) është autor i mbi 10 librave, përfshi edhe Key-Book of the League of Nation, që ai e shkroi bazuar në përvojën e tij si diplomat. Në vitin 1920, Fraj ndodhej në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë si delegat i Indisë, atëherë koloni britanike.
Gjatë asaj periudhe, ai u njoh edhe me Fan Nolin, me të cilin zuri miqësi, pasi Noli ngjante shumë me G.W. Grace, lojtar i njohur kriketi, me të cilin Fraj kishte qenë në një skuadër.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Fraj mund të jetë njohur edhe me atdhetarë të tjerë shqiptarë, që endeshin në atë kohë korridoreve të Lidhjes së Kombeve apo nëpër kancelaritë evropiane, në përpjekje për të siguruar ndihmë e mbështetje për shtetin shqiptar.
Pas dështimit të princ Vidit, atdhetarët shqiptarë nuk hoqën dorë nga ideja e një mbreti dhe ishin vënë në kërkim të një princi tjetër për vendin e tyre. Shumëkush e shikonte këtë si mungesë vetësigurie të një kombi, por për të tjerët kjo përpjekje ishte një manovër diplomatike, për sigurimin e njohjes më të gjërë ndërkombëtarë të shtetit të ri shqiptar, si dhe për sigurimin e ndihmave të huaja ekonomike, por edhe për krijimin e një imazhi. Vendi kishte rreth tetë vjet që kishte shpallur pavarësinë, por nuk kishte njohur thuajse asnjë ditë të pavarur. Viti 1912 u pasua nga lufta ballkanike, grindjet, trazirat e brendshme e pastaj Lufta e Parë Botërore.
3.
Kongresi i Lushnjes, në janar 1920, sikur e drejtoi vendin drejt një periudhe, sado të shkurtër, qëndrueshmërie, ndërsa vendi tani udhëhiqej nga një regjencë prej katër anëtarësh. Vetë shprehja “regjencë” sikur linte të kuptohej se vendi ishte i hapur, në pritje për një mbret apo princ, si ai i vitit 1914 ose ndryshe.
Thuhet se, për të plotësuar kushtet për t’u bërë mbret i Shqipërisë, i interesuari duhej të ishte personalitet ose të ridhte nga ndonjë familje evropiane e njohur për pushtet e pasuri. Nuk kishte dyshim se SiBi Fraj ishte personalitet dhe shumë i njohur e me lidhje të shumta në kryeqytet e fuqive të mëdha.
Kur Fraj i tha Fan Nolit se ishte i interesuar për fronin e Shqipërisë, duket se ai ishte në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Por, megjithëse Fraj ishte i famshën, nuk ishte i pasur dhe një mbret të varfër Shqipëria nuk e përballonte dot. Kërkesa e i tij u hodh poshtë, sepse një nga kushtet e vendosura për t'u bërë mbret i Shqipërisë ishte edhe pasuria; personi duhej të kishte një shumë të ardhurash vjetore prej të paktën 10 mijë stërlinash, që Frajit i mungonin.
Kështu shkruajnë autorë të ndryshëm, kur flasin rreth jetës së tij. Por ka të tjerë që thonë se kjo mund të jetë edhe një shaka, trillim për vetëmburje ose pohim i njëanshëm, sepse historiografia shqiptare nuk e përmend një zhvillim të tillë, nëse nuk e ka anashkaluar
16 Shkurt 2009