E Diel, 1 Nëntor 2026

Përvjetori i Pavarësisë në Kosovë, Thaçi garanton siguri

Motoja e përvjetorit të parë, më 17 shkurt, do të jetë “Ecja në pavarësi”. Parashikohen festime madhështore, qeveria ndan nga buxheti 150 mijë euro

Blerina Olldashi

Për përvjetorin e parë të pavarësisë, më 17 shkurt, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çfarëdolloj shantazhi që mund t’i bëhet Kosovës nga Beogradi. Kështu bëri të ditur kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, në një mbledhje jo të rregullt të qeverisë, e cila u mbajt për të koordinuar angazhimet institucionale për të festuar njëvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Autoritetet serbe më herët kanë paralajmëruar për protesta dhe destabilizim të Kosovës ditën e 17 shkurtit. Kreu i ekzekutivit Hashim Thaçi tha se motoja e këtij përvjetori do të jetë “Ecja në pavarësi” dhe qeveria ndau nga buxheti i shtetit 150 mijë euro që festa e pavarësisë të jetë sa më madhështore. Lidhur me këtë çështje, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaroi se të gjithë e kanë të qartë se Kosova nuk është shtet. Ai porositi serbët që jetojnë në Kosovë se shteti serb do të vazhdojë të kujdeset për ta ashtu siç ka bërë deri gjithmonë. Presidenti Tadiç përsëriti se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe Serbia legjitimitetin e saj do ta mbrojë me mjete diplomatike e juridike para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Kosova është çështja jonë më e rëndësishme dhe më e ndjeshme, por edhe e sigurisë rajonale dhe europiane”, - tha Tadiç. Për ruajtjen e sigurisë në ditën e shumëpritur të pavarësisë Policia kosovare ka marrë të gjitha masat e nevojshme. Shpend Maxhuni, ndihmës i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës u shpreh para dy ditësh se PK-ja parashikon një urdhër operativ, ku do të përfshihet edhe veriu i vendit. Ndërkohë ndihmën e saj do ta japin edhe forcat e EULEX-i dhe KFOR-i nëse do të jetë e nevojshme. ”Policia vepron konform situatës dhe ligjit nëse do të ketë nevojë ne do të kemi edhe mbështetjen e EULEX-it dhe KFOR-it”, - tha ai duke siguruar gjithashtu se do të ketë shtim të forcave të policisë nëpër rrugë. Policia e Kosovës u bëri apel qytetarëve ta festojnë këtë ditë, ashtu siç ka ndodhur edhe me rastin e shpalljes së pavarësisë së vendit me 17 shkurt 2008.

Kajdanou: “Prishtina dhe Beogradi duhet të bisedojnë”

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kajdanou, është shprehur se Beogradi dhe Prishtina duhet të bisedojnë për çështjet që kanë të bëjnë me jetën e të gjithë njerëzve në Kosovë, e sidomos të atyre serbë. Kajdanou shprehu bindjen se do të ketë edhe më shumë njohje të Kosovës. “Do të ishte mirë sikur Kosova dhe Serbia të gjenin një mënyrë për t’i zgjidhur këto çështje, dhe jo patjetër nëpërmjet bisedimeve direkte”, - tha Kajdanou duke shtuar se shpreson që me ndërmjetësim të BE-së do të gjendet mënyra për bisedime, sepse, sipas saj, “BE-ja i pranon të dyja palët”. Sipas Kajdanou, të gjithë e kanë të qartë se në këtë pjesë të Europës ekzistojnë probleme të pazgjidhura, megjithatë qeveria amerikane shpreson që shtetet e rajonit, bashkërisht, do të arrijnë t’i zgjidhin ato. “Serbia është pjesë e kësaj, ashtu si edhe Kosova, Bosnja, dhe shpresojmë që të gjithë njerëzit do të punojnë bashkërisht për t’i zgjidhur këto probleme. Nëse nuk veprojnë kështu, gjithçka do të ishte në dëm të tyre”, - tha ambasadorja amerikane. Kajdanou shprehu bindjen se Kosova do të konkurrojë për t’u pranuar në institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare. “Ashtu siç ka paralajmëruar presidenti i Serbisë Boris Tadiç, Serbia nuk do ta kundërshtojë këtë gjë”, - ka thënë Kajdanou, duke shtuar se, sa i përket ambicies për organizatat e tjera duhet parë mundësia e një zgjidhje në të ardhmen pasi çdo organizatë ka rregullat e veta.

ORA: “Për rininë vendosin të rinjtë e shekullit të kaluar”

Rinia e Partisë Reformiste ORA ka vlerësuar se në Kosovë, për çështjet rinore vendosin njerëzit, cilët kanë qenë të rinj në shekullin e kaluar. Me këtë rast janë bërë edhe vërejtje për buxhetin e shtetit. Sipas të rinjve të partisë “Ora”, buxheti për rininë kosovare, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, mbetet i pashfrytëzuar, ose shfrytëzohet për gjëra të tjera. Në konferencën e parë të mbajtur nga Rinia Reformiste ORA, u tha se çdo vit në tregun e punës së Kosovës dalin më shumë se 28 mijë të rinj, punëtorë potencialë, ndërsa në realitet shumica mbesin të papunë. Kjo sipas tyre ndodh sepse ekonomia dhe krijimi i vendeve të reja të punës, asnjëherë nuk ishte prioritet i qeverive të deritashme. Rinia Reformiste ORA ka rekomanduar se departamentet e rinisë duhet të këmbëngulin të jenë apolitikë dhe neutralë, ndërsa, kanë theksuar se disa shenja tregojnë se këto departamente janë bërë arenë luftimesh politike se kush duhet ta kontrollojë atë.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›