E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inva Mula, sa ftohtë në TKOB…

Autori i Lajmit: red.

Sopranoja shqiptare që ka fituar tashmë famë botërore u rikthye të hënën në mbrëmje në koncertin recital skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, e ftuar nga kompania e sigurimeve SIGAL, me rastin e 10-vjetorit të krijimit të saj.
E shoqëruar nga orkestra e “Camerata Tirana”, nën drejtimin e violinçelistit Arben Skënderi dhe Orkstrës së TKOB, Inva Mula interpretoi disa nga ariet më të famshme të muzikës klasike botërore të kompozitorëve Mozart, Rossini, Puçini, Gunot, etj.
Sigurisht, si gjithnjë mbresëlënëse, por…po aq mbresëlënese u duk dhe veshja e saj, ku mungonin vetëm një palë çizme për të treguar se sa ftohtë është në TKOB.
Siç vihet re edhe në foto, Inva, e gjitha në të zeza dhe me tualet gri, duket sikur është shtrënguar fort pas shallit të saj, ndërsa reklamat gjigante pas kurrizit sfidojnë me fytyra të qeshura…
Pavarësisht atmosferës së akullt në TKOB, Inva Mula përcolli me mjeshtëri me zërin e saj të magjishëm pjesë të shkëputura nga opera “Flauti magjik” i Mozartit, nga “Romeo dhe Zhulieta” i Gunosë, por nuk munguan ariet, të përzgjedhura nga opera “Borana”, kompozuar nga i ati, Avni Mula, të cilat i dhanë më tepër magji kësaj mbrëmjeje. Inva Mula, sopranoja shqiptare e lindur në Tiranë në familje artistësh, e ka filluar karrierën e saj në një moshë fare të re. Fituese e një sërë çmimesh brenda dhe jashtë vendit, sopranoja Mula është bërë e famshme me interpetimet e saj në disa prej operave më në zë në Evropë, si në Operën Bastille në Paris (Francë), në Bruksel në “Europalia Mexico” (Belgjikë), në Mynih (Gjermani) dhe Oslo (Norvegji).
Inva Mula është një interprete e rregullt e Teatrit “La Scala” (Itali), ku ka kënduar në rolet kryesore në operat “Lucia di Lammermoor”, “La Bohème”, “Manon”, etj. Ajo spikat për interpretimin e saj në rolin e Violetës në operën “Traviata”, duke intereptuar në operat në disa qytete të botës si Tokio, Bilbao, Trieste dhe Toronto.
Ky lajm është publikuar: 25/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›