E Diel, 1 Nëntor 2026

Marshimi për Gërdecin, PS përjashton LSI-në

Autori i Lajmit: red.
Socialistët thellojnë hendekun ndarës me tyre dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këtë herë është përdorur si kartë ndarëse tragjedia e 15 marsit në Gërdec ku humbën jetën 26 persona dhe u dëmtuan dhjetra të tjerë. Partia Socialiste ka vendosur që në 15 mars bashkimi i ri qytetar të manifestojë në Gërdec dhe në Tiranë me moton: Mos Harro! “Përvjetori i parë i masakrës shtetërore të Gërdecit, do të jetë dita e kujtesës dhe e protestës qytetare kundër korrupsionit”, - tha dje zëdhënësja e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli. Ajo pohoi se thirrja për të marrë pjesë në këtë manifestim i drejtohet çdo qytetari ndërkohë që përjashtoi Lëvizjen Socialiste për Integrim të cilën e konsideroi thjesht si një patericë të Berishës. “Kjo nisëm e koalicionit tonë, është e hapur për çdo qytetar përtej të majtës dhe të djathtës dhe nuk do të ketë ngjyrat e partive, por ato të flamurit kombëtar e të flamurit evropian. Kjo është një thirrje që i drejtohet gjithë shqiptarëve dhe shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, të cilët në 15 mars duhet të bashkohen, për të treguar se qytetarët nuk harrojnë. Nuk kemi pse e ftojmë LSI-në, pasi nuk është pjesë e opozitës ndaj Berishës, po paterica e tij”, -përfundoi Kodheli. Edhe pse afrimi përditë e më shumë i zgjedhjeve mendohej se do të zbuste disi konfliktin mes këtyre dy partive të majta, ngjarjet e fundit duket se po e thellojë gjithmonë e më tej këtë hendek. LSI dhe PS nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët as për çështje për të cilat kanë patur të njëjtin qëndrim si rasti i tragjedisë së Gërdecit për të cilën të dyja këto parti kanë fajësuar Ekzekutivin duke e quajtur atë një krim shtetëror.
Ky lajm është publikuar: 25/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›