E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përhapet lija e dhenve, mjekët: Mos përdorni aspirinë

Linda Bezhani: Sëmundja është ngjitëse 3 deri në 7 ditë. Mund të prekë trurin deri në meningit

Përhapet lija e dhenve të fëmijët e vegjël në kryeqytet. Më së shumti bëhet fjalë për ata fëmijë që frekuentojnë çerdhet dhe kopshtet, ku edhe mundësia për të mos u prekur nga kjo sëmundje ngjitëse është pothuajse e pashmangshme. Pranvera është sezoni i shtimit të rasteve më variçelë, apo si njihet ndryshe në gjuhën e përditshme lija e dhenve. Mjekët e qendrave shëndetësore në Tiranë thonë se është rritur numri i fëmijëve me simptomat e kësaj sëmundjeje, e cila në rast se nuk trajtohet mund të jetë me pasoja të rënda për trurin. “Më shumë sëmuret fëmija që jeton nëpër kolektiva, në çerdhe apo kopshte. Ka njolla të kuqe në lëkurë të cilat më pas dalin si flluska. Në këtë kohë fëmija është kontagjoz, domethënë është ngjitës. Sëmundja është kontaminoze tri deri në shtatë ditë. Mund të prekë trurin deri në mening cefalit”, - tha Linda Bezhani, mjeke e Qendrës Shëndetësore Nr.4 në Tiranë. Pavarësisht se ekziston një lloj vaksine që mund të parandalojë variçelën, ajo nuk aplikohet në masë në popullatën tonë. Megjithatë, ka dhe rrugë të tjera parandaluese. Mjekët këshillojnë përdorimin e antibiotikëve kur temperatura është e lartë, por jo të aspirinës. “Kur ka temperaturë mund të përdoret vetëm paracetamoli. Në asnjë mënyrë, nuk duhet të përdoret aspirina”, - tha Bezhani. Edhe në Spitalin Pediatrik të QSUT-së këto ditë ka pasur një numër të konsiderueshëm fëmijësh, të cilët kanë marrë mjekim, pasi kanë shfaqur shenja të variçelës. Më konkretisht simptomat e kësaj sëmundjeje janë: te fëmijët shfaqen fillimisht gjendje dobësie, këputje trupi, aq sa dhe prindërit nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh me fëmijën, derisa shfaqen elementet në lëkurë. Fëmija mund të ketë temperaturë të lehtë 37.5-38 gradë, që mund të zgjasë 1-2 ditë dhe më pas të zhduket. Më pas shfaqen elementet e një eriteme të vogël (skuqje), pas saj fillojnë bulat (flluska) të vogla të mbushura me ujë të pastër. Këto mund të jenë të shpërndara në të gjithë trupin dhe japin kruajtje të lehtë. Përveç kësaj, fëmija mund të ketë skuqje fyti, pasi sëmundja kap mukozat e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Ndërsa te moshat e reja shenjat janë më të rënda. Kështu temperatura mund të shkojë deri në 40 gradë, po ashtu puçrrat kanë përhapje më të madhe, fyti është më i acaruar, ka acarim të mukozës së hundës, dobësi trupore. Po ashtu, rrëzë veshit mund të shfaqen gjëndra të dallueshme me dorë dhe të dhimbshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›