Vdekja e Klosit, Topi: Humbëm një zë të guximshëm
Humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme e ka cilësuar kreu i shtetit Bamir Topi ndarjen e parakohshme nga jeta të publicistit, Ardian Klosi.
Në një mesazh ngushëllimi të bërë publik nga zyra e shtypit e Presidencës, thuhet se Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i shkrimtarit, analistit letrar, përkthyesit, publicistit dhe aktivistit të njohur publik të shoqërisë civile, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju – familjen e të afërmit, por edhe për mbarë shoqërinë tonë, e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për intelektualë të mirëfilltë dhe zëra të pavarur e të guximshëm që marrin përsipër të kryejnë misione altruiste në të mirë të qytetarëve shqiptarë.
Duke ju përcjellë ngushëllimet më të sinqerta, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen në këtë momente të trishtuara si dhe të shpreh njëkohësisht edhe vlerësimin personal dhe institucional për përkushtimin njerëzor e profesional, veprën artistike dhe jetën aktive shoqërore të bashkëshortit, babait dhe njeriut tuaj të dashur! përfundon mesazhi i ngushëllimit i Presidentit të Republikës, Bamir Topi.