Bota në mëshirë të fatit
Takimet e FMN-së dhe të Bankës Botërore na përkujtojnë një të vërtetë: bota jonë e ndërlidhur dhe e madhe është bërë objekt tejet i komplikuar. Po qe se duam të ecim përpara, duhet të lëvizim përpara, madje edhe pa e pasur ndihmën e kapitenit
Takimet vjetore pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore kanë siguruar qasjen tek dy trendë themelorë që po shtyjnë përpara politikën globale dhe ekonominë botërore. Gjeopolitika është duke u zhvendosur prej një botë të dominuar prej Evropës dhe SHBA-së drejt një bote me shumë fuqi rajonale, mirëpo pa asnjë lider botëror. Po ashtu, një periudhë e re e jostabilitetit ekonomik është para nesh, si rezultat i kufijve të rritjes, mirëpo edhe trazirave financiare. Kriza ekonomike e Evropës ka dominuar këtë vit në takimet e FMN-së dhe Bankës Botërore. Fondi po mundohet të krijojë një mekanizëm të shpëtimit emergjent në rast që ekonomitë e dobëta evropiane të kenë nevojë edhe për një ndihmë tjetër financiare, duke iu drejtuar ekonomive të mëdha në lulëzim – Brazili, Kina, India dhe eksportuesit e naftës në Gji – që të ndihmojnë në sigurimin e mjeteve të domosdoshme. Përgjigja e tyre është e qartë: po, mirëpo vetëm në shkëmbim të më shumë kompetencave dhe të votave në FMN. Pasi që Evropa ka nevojë për një mbështetje financiare ndërkombëtare, ajo do të duhet të pajtohet.
Natyrisht se kërkesa e ekonomive në lulëzim për më shumë pushtet është diçka tashmë e njohur. Më 2010, kur FMN-ja rriti për herë të fundit burimet e veta financiare, ekonomitë në lulëzim u pajtuan me marrëveshjen, vetëm në rast se e pjesëmarrja e tyre në votim përbrenda FMN-së do të rritej me rreth gjashtë për qind dhe Evropa do të humbiste rreth katër për qind. Tani, tregjet në lulëzim po kërkojnë një pjesëmarrje edhe më të madhe në pushtet. Arsyeja e vërtetë nuk është e vështirë të shihet. Sipas të dhënave vetjake të FMN-së, shtetet anëtare të Bashkimit Evropiane paraqisnin 31 për qind të ekonomisë botërore më 1980 (e matur me GDP-në e secilit shtet, të përshtatur me fuqinë blerëse). Nga viti 2011, pjesëmarrja e BE-së ra në 20 për qind dhe Fondi projekton se ajo do të bjerë më tej, deri në 17 për qind, nga viti 2017. Kjo rënie e pasqyron rritjen e ngadalshme të Evropës, si në aspektin e popullsisë, ashtu edhe atë të produktit për person. Në anën tjetër, pjesëmarrja në GDP e shteteve aziatike në lulëzim, përfshirë Kinën dhe Indinë, ka shënuar rritje, prej rreth tetë për qind më 1980, në 25 për qind më 2011 dhe pritet të arrijë në 31 për qind nga viti 2017. SHBA-ja, ashtu si pritej këto ditë, insiston se nuk do t’i bashkohet ndonjë fondi të FMN-së për shpëtim. Kongresi amerikan është duke mbështetur me të madhe politika izoluese ekonomike, posaçërisht sa i përket ndihmave financiare për të tjerët. Edhe kjo pasqyron rënien graduale të fuqisë amerikane. Pjesëmarrja e SHBA-së në GDP-në globale, rreth 25 për qind më 1980, ka rënë në 19 për qind më 2011 dhe pritet që të bjerë më tej në 18 për qind më 2017, deri në të cilën pikë FMN-ja pret që Kina ta tejkalojë ekonominë amerikane në madhësinë absolute (të përshtatur me fuqinë blerëse).
Megjithatë, zhvendosja e fuqisë globale është shumë më e komplikuar sesa rënia e Atlantikut Verior (BE-së dhe SHBA-së) si dhe ngritja e ekonomive në lulëzim, posaçërisht BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika Jugore). Ne po ashtu jemi duke u zhvendosur nga një botë njëpolare, e drejtuar kryesisht nga SHBA-ja, në një botë shumëpolare, në të cilën SHBA-ja, BE-ja, BRICS dhe fuqitë më të vogla (si Nigeria dhe Turqia) kanë peshë rajonale, mirëpo nuk mund ta marrin përsipër udhëheqësinë botërore, posaçërisht barrën financiare të saj. Çështja nuk qëndron vetëm në atë se tani janë pesë apo gjashtë fuqi të mëdha; është se të gjitha duan gjëra gratis në dëm të të tjerave, Zhvendosja në një botë të tillë shumëpolare e ka përparësinë se asnjë shtet i vetëm apo bllok i vogël nuk mund të dominojë mbi të tjerat. Secili rajon mund të ketë hapësirë manovrimi për ta gjetur shtegun e vet. Megjithatë, një botë shumëpolare po ashtu bart rreziqe të mëdha, e kryesorja është se sfidat e mëdha botërore nuk do të ketë kush t’i adresojë, për shkak se asnjë shtet i vetëm apo rajon nuk është në gjendje apo i gatshëm ta koordinojë një reagim global dhe as të marrë pjesë në të. SHBA-ja është zhvendosur me shpejtësi prej udhëheqësisë globale në një fuqi që do gjëra gratis, duke tejkaluar skenën e bashkëpunimit global. Si rrjedhojë, SHBA-ja aktualisht është duke u distancuar nga bashkëpunimi global sa i përket luftimit të ndryshimeve klimatike, pakot e FMN-së për shpëtim, objektivet për ndihmat zhvillimore globale dhe aspektet tjera të bashkëpunimit ndërkombëtar në sigurimin e të mirave globale publike. Dobësia e bashkëpunimit global politik është posaçërisht shqetësues sa u përket sfidave që duhet të tejkalohen. Natyrisht se vazhdimësia e krizave globale financiare të bie në mend menjëherë, mirëpo sfidat tjera janë edhe shumë më të mëdha.
E vërteta është se në takimet e FMN-së dhe Bankës Botërore është trajtuar edhe ndryshimi i dytë i rëndësishëm në ekonominë botërore: çmimet e larta dhe të ndryshueshme të mallrave, të cilat tani paraqesin kërcënim të madh për stabilitetin ekonomik global dhe rritjen. Që nga viti 2005, çmimet e shumicës së mallrave kryesore janë rritur. Çmimet e naftës, thëngjillit, bakrit, arit, grurit, misrit dhe shumë mallrave tjera janë dyfishuar, trefishuar apo janë rritur edhe më shumë. Disa kanë thënë se shkak për këtë janë flluskat në çmimet e mallrave, që vijnë si rezultat i normave të ulëta të interesit dhe qasjen e lehtë tek kreditë. Megjithatë, sqarimi më bindës është me siguri të madhe më kryesori. Kërkesa e botës në zhvillim për mallra, posaçërisht në Kinë, është duke u përballur me ofertën e kufizuar fizike të burimeve globale. Natyrisht se mund të prodhohet më shumë naftë apo bakër, mirëpo vetëm me një kosto më të madhe margjinale.
Por, problemi shkon përtej kufizimeve në ofertë. Rritja globale ekonomike është duke shkaktuar krizë ambientale. Çmimet e ushqimit janë të larta sot pjesërisht për shkak se rajonet ku prodhohet ushqimi janë duke përjetuar efektet anësore të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu (si thatësira dhe stuhitë ekstreme). Thënë troç, ekonomia globale është duke përjetuar krizë qëndrueshmërie, në të cilin kufizimet e ofertës dhe presionet ambientale janë duke shkaktuar shoqe dhe jostabilitet ekologjik. Zhvillimi ekonomik duhet që menjëherë të bëhet zhvillim i qëndrueshëm, duke e përshtatur teknologjinë dhe stilet e jetës, për ta ulur presionin mbi ekosistemet e Tokës. Edhe për këtë gjë do të duhet bashkëpunimi global, që nuk po shihet askund. Takimet e FMN-së dhe Bankës Botërore na përkujtojnë një të vërtetë: bota jonë e ndërlidhur dhe e madhe është bërë objekt tejet i komplikuar. Po qe se duam të ecim përpara, duhet të lëvizim përpara, madje edhe pa e pasur ndihmën e kapitenit.
Autori është profesor i ekonomisë dhe drejtor i institutit “Earth” në Universitetin e Columbias. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë, “Project Sindycate”