E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të jetë parlamenti i ri?

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Nga krahasimi i listave me deputetët e legjislaturës së shkuar, vetëm 67 prej tyre do të bëjnë pjesë edhe në parlamentin e ardhshëm. 73 deputetë nuk bënin pjesë në legjislaturën e shkuar. Prej tyre, 37 deputetë të rinj i përkasin Partisë Socialiste, 33 Partisë Demokratike, 2 LSI-së dhe 1 PDI-së. Kjo parti, ashtu si edhe deputeti i saj, hyjnë për herë të parë në parlament. Një rast i veçantë është ai i Sokol Olldashit. Fitues në 2005 në Shijak, ai dha dorëheqjen në mes të legjislaturës së shkuar, për të garuar për Bashkinë e Tiranës. Sokol Olldashi shënon rifutjen e tij në parlament, kësaj herë si deputet i qarkut të Fierit. Por parlamenti i ri, përveçse është rinovuar në 52% të deputetëve, ka një dyfishim të numrit të femrave. Nga 10 deputete që kishte parlamenti i shkuar, i riu do të ketë 20. Prej tyre, 13 deputete do të ulen për herë të parë në këtë sallë. Në total, Partia Socialiste do të ketë 11 deputete, kurse Partia Demokratike 9. Numri total i partive të përfaqësuara në parlament do të jetë 5. Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Republikane, Partia Demokraci dhe Integrim. Sipas rregullores së parlamentit, për të krijuar një grup parlamentar duhen të paktën 7 deputetë. Ndaj, përveç Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, asnjë prej partive të tjera nuk mund të ketë një grup parlamentar.
Ky lajm është publikuar: 04/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›