E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet lokale në Ballagat, fiton kandidati i PD-së

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve i komunës Ballagat, të rrethit të Lushnjes, shpalli fitues kandidatin e PD-së, Sherbet Sharka, i cili mori 1065 vota, kundrejt 394 vota që kishte kandidati socialist, Neshat Sharka. Gara elektorale për kreun e komunës Ballagat u zhvillua e qetë dhe pa probleme në tetë qendrat e votimit, ndërsa në votime morën pjesë rreth 1460 zgjedhës nga 2600 votues të regjistruar në listat zgjedhore. Zgjedhjet e pjesshme lokale në komunën Ballagat u zhvilluan pas shkarkimit për abuzime me detyrën të ish-kryekomunarit Fatos Sharka. Komuna Ballagat është një nga komunat më të mëdha të rrethit të Lushnjes, me rreth 3600 banorë të shpërndarë në 8 fshatra. Qendra e komunës ndodhet 10 km në juglindje të qytetit të Lushnjes. Ajo ka nën administrim një territor me sipërfaqe rreth 1800 ha , ku dominojnë toka arë dhe blloqe me frutikulturë. Komuna është e pasur me rezervuare natyrore.
PS: Zgjedhjet e vjedhura nuk legalizohen
“Zgjedhjet e vjedhura nuk legalizohen, sepse populli nuk jeton për të mbajtur në kurriz një oborr të korruptuarish, që duan të korruptojnë çdo gjë dhe të mbretërojnë sikur asgjë nuk ka ndodhur”, kështu është shprehur dje në një deklaratë për shtyp përfaqësuesja e PS-së, Elisa Spiropali, ndërsa u shpall fitues kandidati i PD-së, por njëkohësisht kjo deklaratë shërbeu edhe si një përgjigjie e përgjithshme për zgjedhjet e 28 Qershorit. Në deklaratën e saj, Spiropali ka theksuar se Partia Socialiste nuk e pranon rezultatin e zgjedhje do të bëjë gjithçka për t i dhënë popullit përfaqësimin e merituar në të gjitha rrugë demokratike në këtë beteje mes dy botësh. “Partia Socialiste nuk është në ankand dhe Sali Berisha nuk do mundë kurrë ta blejë opozitën reale dhe as të vendosë kryetarin e PS. Ne nuk e pranojmë rezultatin e zgjedhjeve dhe do të bëjmë gjithçka për t i dhënë popullit përfaqësimin e merituar në të gjitha rrugët demokratike në këtë betejë mes dy botësh. Fitorja e Saliut do të jetë disfata e tij”, tha Spiropali.
Berisha: Rama, limonatë e përkohshme që thartohet
Ndërsa Spiropali ka folur në Tiranë, reagimi ka ardhur direct nga Kryeministri Berisha, edhe pse ishte në Jug të vendit për disa inagurime në infrastrukturën e brendshme. “Unë shfrytëzoj rastin të përshëndes nga bregu, zgjedhësit e Ballagatit, të cilët konfirmuan besimin e palëkundur te mazhoranca, te ndryshimi i Shqipërisë. I garantoj ata se vota e tyre do të shndërrohet në një mirësi konkrete për çdo fermer të Ballagatit. I falenderoj ata për mësimin e shkëlqyer që i dhanë Edi Ramës, i cili në arrogancën e tij, në fodullëkun e tij, e ka të vështirë të nxjerrë mësime. Në asamblenë e tij, të cilën e mblodhi megjithëse është mandat humbur, deklaroi se nuk do të njihte zgjedhjet. Una dua t i them zotit Rama, këtu nga Dhërmiu, këto fjalë: Në qoftë se ti, nuk njeh popullin tënd, kujdes se do të marrësh ndëshkimin më të madh të tij dhe ky ndëshkim është se ai nuk do të njohë ty fare. Populli është i përjetshëm, kurse politikanët si ti, janë limonata të përkohshme, që thartohen në verën e parë dhe kështu u thartove edhe ti. Kjo është e vërteta. Megjithatë, atë që duhet t i themi ne, ia tha Ballagati, se pse nga parti që kishte fituar zgjedhjet dy vjet më parë, humbi me 73 përqind, mbeti me 26 përqind dhe do të shkojë drejt 17. Të dashur qytetarë dhe qytetare të bregut. Le ta lëmë Edi Ramën në banesën e humbjes, aty ku e ndrynë shqiptarët më 28 qershor…”, tha Berisha, i cili më pas ka vijuar t u flasë banorëve të Jugut për planet e Qeverisë në Turizëm.
Ky lajm është publikuar: 04/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›