E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investim i dyshimtë

Dy skanerë të CT-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk kanë mbetur për gjë tjetër, vetëm të hidhen në mbeturina. Por, kjo nuk i ka penguar zyrtarët e kësaj qendre, që për këto dy aparate të planifikojnë investime deri në 260 mijë euro. Disa mjekë tregojnë për Express se ky është një investim i kotë, ngase me ato para mund të blihet së paku një skaner i ri. Por, zyrtarët e QKUK-së arsyetohen se investimi në skanerë të vjetër bëhet për të rritur kapacitetet e tyre.

Emin Berisha është një pacient i cili në korridorin e QKUK-së pret për të bërë fotografimin në CT.

“E kam bërë edhe një kontroll para një viti, në po të njëjtin aparat. Nuk do ta bëja asnjëherë rrezatimin në CT-të e këtij spitali, sepse nuk ndihem i sigurt për shkak të vjetërsisë së tyre”, thotë Emini për Express.

Në fakt, nëse realizohet një plan i zyrtarëve të QKUK-së, CT-ja ku Emini pret për të kryer fotografimin, do të jetë në funksion ndoshta edhe sa vetë jeta e tij.

Pavarësisht kundërshtimeve të disa mjekëve, se dy CT-të e QKUK-së janë shumë të vjetra dhe nuk ia vlen të riparohen, pritet që këta dy skanerë të gëlltisin së paku 260 mijë euro për këtë qëllim.

Reparti i Radiologjisë në QKUK, ka dy CT, të cilët punojnë dhe kanë gjashtë vjet që mirëmbahen. Përveç tyre, në Institutin Onkologjik, ndodhet edhe një aparat tjetër, që është në defekt.

Dy skanerët e vjetër, por funksional, ndodhen njëri në Klinikën e Radiologjisë, e tjetri në atë të Neurologjisë. CT-ja ne Klinikën e Neurologjisë është prodhuar në vitin 1994, kurse ai në Klinikën e Radiologjisë është prodhuar një vit më vonë, më 1995.

Tash zyrtarët e QKUK-së kanë planifikuar që në këta dy skanerë të investojnë rreth 260 mijë euro. Arben Kutllovci, shef i Qendrës Diagnostrike në repartin e Radiologjisë në QKUK, tregon se kërkesa për përtëritjen e CT-ve është bërë për shkak të rritjes së kualitetit të këtyre aparateve.

“Derisa bëhet ky servisim, ne nuk kemi telashe. Por pasi që janë aparate të vjetra, kemi kërkuar që të bëhet një ripërtërije e tyre. Kjo do të thotë se prej një aparati njëspiral, pas përtëritjes do të shndërrohet në një aparat trespiral, i cili është më i avancuar”, deklaron Kutllovci për Express.

Ai e pranon se me 260 mijë euro mund të blihet një aparat i CT-së i ri, mirëpo shpjegon se një gjë e tillë nuk ka qenë e favorshme për ta. Kutllovci shpjegon se blerja një aparati të ri me këtë vlerë, do të thotë që QKUK-ja të mbetet vetëm me një aparat, i cili nuk do t’i përmbushte kërkesat dhe nuk do kishte kapacitet për kontrollimin e të gjithë pacientëve.

“Nuk guxojmë të mbesim vetëm me dy aparate për të punuar, sepse i kemi afër 60 pacientë në ditë, të cilët kontrollohen në këto CT. Është gjynah të hidhen këto aparate, përderisa mund të punohet me to”, thotë Kutllovci.

“Duhet të kemi parasysh se vetëm një gyp për këtë CT, kushton afër 50 mijë euro. Me këto karakteristika të këtyre mjeteve që ne i kemi, një aparat i ri do të kushtonte afër 300 mijë euro”, deklaron Arben Kutllovci.

Por, kështu nuk mendojnë mjekët, të cilët nuk preferojnë të flasin me emra. Sipas njërit prej tyre që punon në Klinikën e Radiologjisë, nuk ka asgjë nga këto dy CT të vjetra. Sipas tij, me riparimin e tyre thjesht do të çohen paratë dëm, sepse ato aparate tashmë janë 15 vjet të vjetra.

“Këto aparate nuk vyejnë për asgjë, lirisht mund të them që janë për bërllok, madje edhe janë të rrezikshme për pacientët. Nuk e di se çfarë ka për t’u rinovuar aty me gjithë atë shumë, me të cilën, pa dyshim që do të mund të blihej një aparat i ri dhe i sigurt”, thotë ky mjek, fjalët e të cilit i kundërshton Arben Kutllovci. Ai shpjegon se edhe pse aparatet janë të vjetra, ato nuk përbëjnë rrezik për pacientët.

“Nuk ka lidhje nëse është aparati i vjetër, sepse nuk ka rrezik për pacientin. Rrezatimi është i njëjtë, si me aparat të vjetër, apo me të riun”, deklaron Arben Kutllovci.

Një aparat i ri i CT-së kushton prej 200 mijë deri në 1 milion euro, varësisht nga tipi, kapaciteti dhe lloji i tyre.

Drejtori i QKUK-së, Ali Sadria duke arsyetuar vendimin, ka thënë se për menaxhmentin e kësaj Qendre, është obligim mirëmbajtja dhe servisimi i këtyre dy i CT-ve, andaj përkundër çmimit të lartë, ia vlen të investohet. “Por, ajo çka marrim nga këto servisime që nuk janë të thjeshta, por me ngritje të kapacitetit, që nënkupton se këto aparate do të jenë të reja me mundësi shumë të thjeshta të shpejtësisë, saktësisë, qartësisë dhe mungesës së radioaktivitetit gjatë përdorimit të tyre”, është shprehur Sadria për Kosovapress. Sipas tij, elementi tjetër shumë i rëndësishëm për tw si menaxhment ka qenë marrja e obligimit që ta mirëmbajnë servisimin për dy vite.

“Është shumë e vërtetë se një aparat i ri kushton përafërsisht në këtë çmim që ne po bëjmë servisimin e këtyre dyjave, por në këtë rast interpretimi i këtyre, do të thotë i radiologëve që punojnë me të është tepër bindës se ia vlen se në këtë rast do t’i kemi dy aparate dhe jo një, elementi tjetër realisht kemi garancion për servisimin dhe mirëmbajtjen e tyre”, është shprehur ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›