E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm konkurrenca

Kosovarët do të mund të marrin kredi me kamata të ulëta vetëm pas rritjes së konkurrencës mes bankave komerciale që operojnë në Kosovë, konkurrencë e cila aktualisht nuk ekziston. Edhe pse në vendin tonë operojnë tetë banka, për të parin e Financave në Kosovë, Ahmet Shala, kamatat e larta do t’i ulë konkurrenca dhe kjo në situatën e tanishme bëhet me futjen e bankave të reja në tregun bankar.

Sipas paralajmërimeve të mëhershme të Bankës Qendrore, por edhe të ministrit Shala, ka disa banka ndërkombëtare të interesuara për të hyrë në tregun kosovar.

“Kamatat do t’i ulë edhe konkurrenca dhe janë disa banka të huaja të interesuara për të hyrë në tregun kosovar”, ka thënë ministri Shala.

Ndonëse përmenden tri banka të interesuara, ende nuk dihet se për cilat saktësisht bëhet fjalë, përveç njërës. Fjala është për institucionin mikrofinanciar “KEP Trust”, e cila ka aplikuar në Bankën Qendrore për transformim në bankë. Drejtuesit e këtij institucioni kur paralajmëruan transformimin patën deklaruar se do t’i hyjnë kësaj rruge me synimin që në tregun bankar të aplikojnë kamata me të ulëta se ato që janë aktualisht.

Nga ana tjetër, nëse merren parasysh nevojat e ekonomisë kosovare për mjete financiare, edhe ministri Shala pranon se kamatat janë të larta.
Megjithatë, ai thotë se nuk janë vetëm bankat përgjegjëset kryesore, por edhe institucionet publike. Ka shumë procedura burokratike që duhet të përmirësohen, siç është shkalla e efektshmërisë së gjyqësorit, shkalla e përmirësimit të të dhënave dhe të drejtës së pronës, si dhe shpejtësisë së procedurave për zgjedhjen e kontesteve gjyqësore.

“Është obligim që secila hallkë e institucioneve të veprojë në mënyrë që institucionit që jep hua të mos ketë vështirësi në ekzekutimin e vendimeve për ndonjë mosrealizim të një kamate të dhunshme”, tha Shala.

Megjithatë, ekspertët dhe njohësit e sektorit bankar, ndonëse e mirëpresin futjen e bankave të huaja, qëndrojnë në atë se duhet që në konkurrencë të hyjnë edhe banka vendore, pra me kapital vendor.

Milazim Abazi, njohës i sistemit bankar në Kosovë dhe drejtor i Departamentit për Ekonomi dhe Financa në AKB, thotë se prej tetë bankave sa janë në Kosovë, 6 prej tyre 95 për qind të kapitalit e kanë të huaj. Kjo detyrimisht ndikon tek ato që mjetet që s’i kanë fituar në Kosovë, mos t’i rrezikojnë doemos duke ndikuar kështu në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik, në mungesë të kreditimit dhe mjeteve financiare.

“Mendoj që ka vend edhe për ndonjë bankë vendore, pra me kapital vendor”, tha Abazi.

Sipas të dhënave të BQK-së, gjatë vitit 2009, ka pasur rënie të kredidhënies të bankat komerciale për 9 për qind, ndonëse në po këtë vit depozitat u rriten për 300 milionë euro.

Mirëpo, nga ana tjetër, Abazi thotë se futja e bankave të huaja në konkurrencë do të ketë impakt pozitiv. Përveç që do ta rrisë konkurrencën, do të këtë përmirësim të shërbimeve bankare dhe rritje të potencialit kreditor.

“Do të vijë gjithashtu edhe deri tek ulja e interesave”, thotë Abazi.

Ndryshe, sipas bankometrit të publikuar nga Instituti për Hulumtime të Avancuara “GAP”, norma mesatare e kredive personale në bankat komerciale sillet nga 10.8 deri në 12 për qind. Ndërkaq, kreditë për biznes dhe kreditë agrare kanë koston më të lartë dhe sillen nga 12 deri në 15.6 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›