"Gabrieli" i braktisur prej 1 muaji në maternitetin e Lezhës

Lezhë - Foshnja e pagëzuar me emrin Gabriel është braktisur një muaj më parë në maternitetin e Lezhës ku vazhdon të jetojë nën përkujdesin e personelit.
Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik të Lezhës, Zef Zefi, shprehet se vitin e kaluar nuk ka pasur raste të braktisjes së foshnjave, ndërsa numri i rasteve të heqjes së barrës për arsye "lidhje jashtëmartesore" po shënon rritje.
Për vitin 2010 është braktisur nga një nënë një foshnjë e seksit mashkull, pasi ishte "fryt" i një lidhjeje jashtëmartesore. Foshnja gëzon shëndet të plotë.
Gabrielit që sapo ka mbushur një muaj i është "mohuar" dashuria e nënës, por ka gjetur dashurinë dhe përkujdesin e personelit të maternitetit të Lezhës. Infermierja Lirie Toma tregon për "Shekulli"-n se të gjitha bluzat e bardha përkujdesen për të dhe i dhurojnë dashuri.
Drejtori Zefi deklaroi se janë kryer të gjitha procedurat, fëmija është regjistruar në gjendjen civile, nëna ka bërë deklaratën që fëmijën ia dhuron shtetit, është vënë në dijeni edhe Ministria e Shëndetësisë, si edhe Drejtoria e Birësimeve dhe pritet që ky fëmijë të dërgohet në ndonjë prej shtëpive të fëmijëve. Deri me marrjen e një vendimi të tillë, Gabrieli do të vazhdojë të jetojë në "sallën e fëmijëve" të maternitetit të Lezhës.