“Investime të mëdha në arsim mandatin e ardhshëm”

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në 50 vjetorin e themelimit të gjimnazit “Ismail Qemali”, në Tiranë. “Kjo, shkolla më moderne që kam vizituar”
Për gjimnazistët e “Ismail Qemalit” në Tiranë, dje ka qenë një ditë e veçantë. Të gjithë së bashku, nxënës, mësues, ish-mësues e mësuese, prindër dhe të ftuar kanë festuar së bashku 50 vjetorin e themelimit të kësaj shkollë. I pranishëm në këtë ceremoni të veçantë ishte edhe kryeministri Sali Berisha, ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, kryebashkiaku Lulzim Basha etj. Pasi vizitoi ambientet e brendshme të shkollës, klasat, laboratorët e ndryshme dhe u njoh nga afër me metodat dixhitale të mësimdhënies, Kryeministri u ndal edhe në këndet muzeale ku pa nga afër punimet, kostumet etj, që nxënësit e këtij gjimnazi kishin përgatitur me rastin e 50 vjetorit të themelimit të tij, që përkon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryeministri Berisha u shpreh se te ky gjimnaz gjeti një nga shkollat më moderne që ka vizituar ndonjëherë.
Duke uruar 50 vjetorin e themelimit të kësaj shkolle, Kryeministri Berisha përshëndeti me përzemërsi të veçantë, ish-mësueset dhe ish-mësuesit e këtij gjimnazi, gjithashtu edhe mësuesen e cila, ka prerë shiritin e themelimit të këtij gjimnazi 50 vjet më parë dhe ndodhej dje mes tyre duke festuar këtë ditë të veçantë. 50 vjetori i themelimit të gjimnazit, “Ismail Qemali”, përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ndaj Kryeministri Berisha u shpreh se, “gjimnazi juaj mban emrin e njërit prej burrave më të shquar të kombit shqiptarë të të gjitha kohërave. Mban emrin e babait të pavarësisë së Shqipërisë, burrit që 100 vite më parë do të ngrihej me një guxim mbinjerëzor, me një vizion të shkëlqyer, do të rendte nëpër Evropë dhe më pas nga Durrësi në Vlorë, në udhëheqje të idealit kombëtarë të Shqiptarëve, pavarësimit të tyre pas shekujsh sundimi otoman. Mban emrin e Ismail Qemalit, këtij vizionari që bën krenarë çdo shqiptarë. Si shqiptarë, i detyrohemi këtij burri më shumë se kujtdo tjetër në historinë e tyre, por unë jam i sigurt se, sikur të ishte sot midis nesh, ai do të ndihej krenare me te gjithë “ismailsat”, të cilët me mendjen, me punën me përkushtimin e tyre po bëjnë dhe kanë bërë realitet ëndrrën më të bukur të rilindësve tanë”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi standardet e larta të mësimdhënies dhe premtoi se investimet në fushën e arsimit do të jenë edhe me të mëdha në mënyrë që ky progres, këto arritje të mos njohin kufij, por të shtrihen në të gjitha shkollat e vendit.
“Në tërë përpjekjen tonë, ne besojmë se investimi në mendjet tuaja, është investimi më i mirë është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen tuaj dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Për qeverinë, arsimi ka qenë dhe mbetet përparësi e të gjitha përparësive. Sot unë vizitova këtë gjimnaz në mes të Tiranës, me të cilin jam i lidhur edhe familjarisht, por dua t’ju rrëfej juve se, në Krumë dy muaj më parë inauguruam së bashku me fëmijët dhe qytetarët e atij qyteti një gjimnaz ndër më të bukurit në Shqipëri dhe ne po bëjmë gjithçka dhe në mbarë vendin ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla dhe ato që kanë mbetur do ti ndërtojmë dhe rindërtojmë me vendosmërinë më të madhe. Do të bëjmë gjithçka, që çdo klasë mësimi, të jetë klasë që të funksionojë me metodat dixhitale të mësimdhënies në vendin tonë. Do të bëjmë gjithçka që pozicionin e mësuesve, këtyre misionarëve të mëdhenj të kombit tonë, ta mbështesim gjithnjë e më shumë. Do të bëjmë gjithçka, që shoqëria shqiptare të jetë gjithnjë e më shumë shoqëri e bazuar në shkollën, shoqëri e bazuar në dijen. Ne jemi një komb me fat të madh, pasi jemi një komb i ri. Imagjinata juaj të dashur të rinj dhe te reja është energjia më e madhe e zhvillimit të shpejtë të këtij kombi dhe këtij vendi”, theksoi kryeministri Berisha.
Në përfundim, së bashku me të ftuarit e tjerë, kryeministri ndoqi dhe programin artistik që nxënësit kishin përgatitur me rastin e kësaj dite të shënuar për ta.