E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet e KESH per HEC-et

Korporata Elektro Energjitike shqiptare cdo vit ka shtuar investimet për mirëmbajtjen e Heceve. Ndërhyrjet e kryera në hidrocentrale përgjatë vitit 2010, por edhe përgjatë këtij viti, kanë siguruar një eficiencë më të madhe të përdorimit të ujit.

Investimet kanë garantuar edhe më shumë siguri për mirëfunksionimin e portave të shkarkimit në hidrocentrale. Burime pranë KESH bëjnë me dije se vitin e kaluar janë kryer punime shërbimi për mirëmbajtjen e pjesës hidromekanike dhe elektrike të hidrocentraleve, që konsistojnë në realizimin e remonteve vjetore të mesme, kapitale dhe profilaktike të planifikuara të agregateve, si dhe remontet e pajisjeve dhe aparaturave ndihmëse të tyre.

Punime të rëndësishme janë bërë në Fierzë, ku është instaluar transformatori i ri për të zëvendësuar transformatorin e vjetër, që ishte i pasigurt për punë. Gjithashtu, është investuar edhe për remontin e thellë të portës së shkarkimit duke eliminuar të gjitha defektet dhe anomalitë në hapje që u konstatuan gjatë shkarkimeve të fillimvitit Po kështu, edhe në Hidrocentralin e Komanit është bërë pastrimi i rrjetave të marrjes së ujit duke bërë që të evitohen anomalitë e punës së gjeneratorëve. Në sajë të remonteve të kryera në të gjitha HEC-et gjatë vitit 2010, të gjitha hidroagregatet kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe e tërë sasia e ujit që është shkarkuar nga turbinat është shfrytëzuar plotësisht për prodhimin e energjisë elektrike. Burime nga KeSh, flasin edhe për të tjera ndërhyrje në vitet e mëparshme, kryesisht në ato kaskada që mbajnë edhe peshën kryesore në prodhimin e energjisë elektrike në vend.

Një nga këto investime ka qenë edhe rehabilitimi i Heceve në kaskadën e Drinit, me instalimin e teknologjive moderne të kontroll-monitorimit, por edhe ndërhyrjet në Fierzë , Vaun e Dejës, Ulzë dhe Shkopet. Një tjetër Projekti i realizuar përgjatë viteve 2002-2007 ka qene edhe ai I instalimit dhe përdorimit të sistemeve moderne të kontrollit dhe automatikës në përputhje me standardet e UCTE , project ky I financuar nga vet korporata dhe donatorë e kreditorë të tjerë të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›