Investimet e bashkisë, 10%, fond i komunitetit
Tiranë- Në ndarjen e buxhetit të vitit 2009, një zë të konsiderueshëm do të kenë banorët e Tiranës. Sipas kryebashkiakut, Edi Rama, 10% e fondit të investimeve do të jetë fond i komunitetit, ku ky i fundit do të vendosë se çfarë ka më të nevojshme të bëhet në zonën ku banon.
Pas eksperiencës frytdhënëse të ndërmarrë vitin e kaluar, ku qytetarët kanë shprehur opinionin e tyre lidhur me hartimin e buxhetit të vitit 2008, Bashkia e Tiranës rinisi procesin e dëgjesave publike “Thuaj fjalën tënde”, për hartimin e buxhetit të vitit 2009.
Qytetarët, në takimet që do të organizohen në të 11 njësitë bashkiake, do të sjellin zërin, njëkohëhësisht dhe kontributin e tyre, si një domosdoshmëri për Tiranën, me qëllimhartimin e një buxheti gjithëpërfshirës për kryeqytetin.
Kryebashkiaku Rama kujtoi përvojën e vitit të shkuar, duke e cilësuar atë si shumë të vlefshme për përcaktimin e një sërë aksionesh konkrete, si pjesë të buxhetit të vitit 2008. Procesi i hartimit të buxhetit të Bashkisë dhe Njësive Bashkiake, sëbashku me komunitetin, sipas tij, është një proces i cili realisht do ta transformojë cilësinë e demokracisë vendore, duke bërë që demokracia vendore të përcaktojë, jo thjesht se kush është Kryetari i Bashkisë, Kryetari apo Kryetarja e Njësisë Bashkiake apo kush janë këshilltarët bashkiakë, por njëkohësisht se kush janë ndërhyrjet më të rëndësishme që duhen bërë.
“E reja që do të sjellim këtë vit, është fondi i komunitetit. 10% e fondit të investimeve të Bashkisë do të jetë fondi i komunitetit, do të jetë komuniteti, grupe dhe pjesë të tij, qytetarë dhe qytetare të angazhuar për të sjellë transformimin, aty ku banojnë, tek blloku i tyre i banimit, tek rrugica e tyre, tek këndi që kanë nevojë të kthehet në një kënd sportiv, tek ajo pjesë e territorit pranë shtëpisë, nën dritare që mund të kthehet në një lulishte të vogël. Këtë do ta vendosni ju dhe do ta bëjmë sëbashku”- tha ai.
Fondi i komunitetit, sipas Ramës, është 3 milionë dollarë, të cilat do të ndahen, duke u nisur vetëm nga fjala e qytetarëve dhe duke nxitur organizimin e vogël komunitar të individëve dhe familjeve që jetojnë sëbashku në një rrugicë, në një pallat apo në një grup pallatesh, që duke dhënë kontributin moral dhe duke u përfshirë në një projekt, të mund të meritojnë financimin e atij projekti.