Gjykata, 86 vite burg për Bandën e Niklës
Tiranë- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Tiranë ka vendosur sot dënimin me 86 vite burg për shtatë të pandehurit e "Bandës së Niklës". Ata akuzohen për disa vepra të rënda penale si vjedhje me armë dhe rrëmbim personi.
Vendimi i marrë sot, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë ndaj anëtarëve të kësaj bande. Sipas vendimit, i pandehuri Flamur Haka u dënua me 16 vjet heqje lirie, ndërsa Petrit Lleshi dhe Kreshik Berisha me nga 17 vjet heqje lirie.
Të pandehurit e tjerë, Agron Tafa dhe Mustafa Xheka u dënuan me nga 11 vjet burg. “Me 10 vjet heqje lirie u dënua Edmond Sina dhe 5 vjet burg i pandehuri Ervin Belba”- thanë burimet pranë gjykatës.
Shtatë ish-anëtarët e 'Bandët së Niklës' u arrestuan disa vite më parë nga policia e shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila u mor edhe me hetimin e kësaj çështjeje.
Sipas organit të akuzës, të pandehurit, pjesa më e madhe e të cilëve banues në fshatin Nikël në Krujë, akuzohen për disa episode kriminale si vjedhje me armë, të ndodhura pas vitit 1998 në Tiranë.