Bie konsumi dhe eksportet, preken tekstilet dhe materialet e ndërtimit
Shqiptarët kanë ulur ndjeshëm konsumin duke bërë që në këtë periudhë të kenë më shumë punë bizneset që prodhojnë për eksport. Por edhe këto nuk gjenden në situatën më të mirë të mundshme, për shkak të uljes së kërkesës së jashtme. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, të publikuara dje nga Guvernatori Ardian Fullani flasin për rënie të konsumit në përgjithësi. Duke analizuar përbërësit e kërkesës agregate, Banka e Shqipërisë vlerëson se kërkesa e huaj ka qenë burimi kryesor i rritjes së kërkesës gjatë vitit 2011, – tha ai. Ndërkohë, përveç dhjetorit 2011, periudhë e cila përkon me festat e fundvitit, ecuria e importeve ka qenë në rënie gjatë gjithë vitit të shkuar.
Sipas INSTAT-it, gjatë janarit 2012, Shqipëria ka importuar rreth 35 miliardë lekë mallra duke shënuar një ulje me 33 për qind krahasuar me muajin dhjetor të cilit i referohet Banka e Shqipërisë, si edhe ulje 3.7 për qind krahasuar me janarin e vitit 2011. Në anën tjetër, vendi ka eksportuar rreth 13.5 miliardë lekë me një ulje prej 18.8 për qind krahasuar me muajin dhjetor dhe minus 9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përballë këtyre treguesve, duket se situata e mirë që kaluan bizneset eksportuese deri në fund të dhjetorit 2011 po përfundon. Shtetet e huaja, kryesisht ato të BE-së, vende në të cilat shkojnë rreth 65 për qind e eksporteve shqiptare, kanë ulur ndjeshëm importet duke prekur edhe vendin tonë.
Cilat janë mallrat që eksportojmë më shumë dhe në cilët prej tyre është shënuar rënie gjatë janarit të këtij viti? Tekstilet, materialet e ndërtimit, energjia elektrike si edhe mineralet kanë qenë grupet kryesore të eksporteve shqiptare duke i sjellë vendit të ardhura të kënaqshme gjatë viteve të fundit. Por duket se gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Vendi ka që prej prillit 2011 që nuk eksporton asnjë kilovat energji elektrike, kurse kërkesa për minerale, ka pësuar rënie. Ja se çthonë shifrat e INSTAT-it për eksportet e këtyre dy grupeve: Eksportet në grupin Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike kanë renë nga 4.1 miliardë lekë në janar 2011 në 3.9 miliardë lekë në janar 2012, kurse eksportet në grupin Materiale ndërtimi kanë renë nga 3.1 miliardë lekë, në 2.1 miliardë lekë. Eksportet në këtë grup përbëhen kryesisht nga çimentoja dhe hekuri.
Por treguesi më shqetësues është ulja e eksportit të tekstileve dhe këpucëve, në të cilin Shqipëria ka pasur vazhdimisht ecuri pozitive. Të dhënat tregojnë se eksportet në këtë grup kanë renë nga 5.1 miliardë lekë në janar 2011 në 4.8 miliardë lekë në janar të këtij viti. Tekstilet dhe këpucët që prodhohen në vend eksportohen kryesisht në Italia por edhe vende të tjera të BE-së, të cilat po përjetojnë probleme ekonomike aktualisht.
Familjet kursejnë
Përveç rënies edhe të eksporteve, vendi po përballet edhe me tregues të ulët të konsumit, problem i cili ceket thuajse në çdo fjalim të mbajtur nga Guvernatori Fullani. Qytetarët janë të pasigurt për të ardhmen duke qenë kështu më të prirur të kursejnë. Të dhënat e tërthorta sugjerojnë për një ecuri të dobët të konsumit edhe në gjysmën e dytë të vitit 2011, por me tendencë përmirësimi në tremujorin e katërt të vitit. Të dhëna indirekte të përftuara nga ecuria e importit të mallrave të konsumit, nga treguesit fiskalë dhe nga treguesit e besimit të konsumatorit, japin sinjale për gjallërim të konsumit në këtë periudhë. Nga ana tjetër, prezenca e pasigurive për të ardhmen tek konsumatori shqiptar vijon të shkurajojë konsumin dhe të diktojë një sjellje të orientuar drejt kursimit, – tha dje Fullani.
Të përndjekurit, dëmshpërblimet shpërndahen pas 20 marsit
Të përndjekurit nuk kanë marrë ende këstin e dytë të dëmshpërblimit për vitet e burgut, internimin, punën e detyruar apo vrasjet gjatë regjimit komunist, ndërsa duket që sëfundmi qeveria ka ndërmend të vendosi afate limit për shpërndarjen e tij. Kryeministri Berisha kërkoi dje që të paktën deri më datë 20 mars të zgjidhen problemet ligjore që pengojnë lëvrimin e këstit të dytë për të vijuar më pas me shpërndarjen. Ka patur një vonesë, e cila është e diktuar nga amendimet e reja të ligjit për dëmshpërblimet, por kjo vonesë duhet të kapërcehet dhe ministria e drejtësisë dhe ajo e financave ka marrë masat që kjo pengesë të kapërcehet nëpërmjet dy, tre vendimeve që duhet detyrimisht të miratohen për të kapërcyer pengesën ligjore të krijuar nga amendimet e fundit të ligjit. Është e domosdoshme zotërinj ministra që deri në datën 20 mars të jetë zgjidhur çdo pengesë ligjore dhe të fillojë lëvrimi i këstit të dytë ,sepse ky këst është i shumëpritur nga të përndjekurit dhe natyrisht plotësisht i merituar, – tha Berisha.
Ligji për të përndjekurit politik është duke u ndryshuar sërish dhe pritet të zgjerojë numrin e përfituesve por edhe dhënien e dëmshpërblimit për ata që janë në moshë të thyer. Qeveria ka ndarë 1.7 miliardë lekë në buxhetin e këtij viti për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik.
Qeveria shlyen borxhet shtetërore tek CEZ-i, KESH siguron fondet për energjinë
Qeveria merr përsipër ti paguajë kompanisë CEZ Shpërndarja borxhet që ndërmarrjet shtetërore kanë akumuluar ndaj kësaj të. Vendimi u mor dje nga Këshilli i Ministrave dhe duket se ka të bëjë më së shumti me sigurimin e të ardhurave për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare për të blerë energji elektrike gjatë muajve të ardhshëm. Duke i paguar borxhet që ndërmarrjet shtetërore i kanë CEZ Shpërndarjes, qeveria i hap rrugën edhe shlyerjes së borxheve që kjo kompani i ka KESH-it duke i pastruar llogaritë të dyja kompanive. Shenjat për arritjen e një marrëveshje të tillë e dha pak ditë më parë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço në emisionin Debat të gazetarit Alfred Peza duke lajmëruar se qeveria priste që CEZ Shpërndarja ti paguante KESH-it borxhet e vjetra. Mësohet se borxhi në fjalë arrin deri në 4 miliardë lekë, shumë e cila do ti mundësonte KESH-it sigurimin e energjisë elektrike të paktën edhe për dy muaj të tjerë.
Krahas KESH-it, janë një numër i konsiderueshëm ndërmarrjesh shtetërore që i kanë borxhe CEZ Shpërndarjes. Tipik janë ujësjellësit, ndërsa nuk mungojnë edhe shkollat e mesme apo tetë vjeçare.
