Investimet e huaja direkte ne rritje edhe per kete vit
Tremujori i parë i këtij viti ka shënuar një rritje të investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë në pjesën e parë të këtij viti investimet e huaja direkte kanë ecur në trend pozitiv duke arritur në vlerën e 186 milionë eurove. Po sipas këtyre të dhënave krahasuar me vitin e kaluar investimet e huaja direkte janë rritur me 124%. Gjithashtu konfirmi vjen edhe nga Agjencia e Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. Agjencia bën me dije se kontaktet e sipërmarrësve nga vendet e Europës perëndimore janë shtuar në fusha strategjike në vend për të investuar kapitalin e tyre, sic janë sektori i energjisë, i shërbimeve, i ujërave apo edhe menaxhimit të mbetjeve urbane, kjo e vërejtuar edhe nga anketimi i Shoqatës gjermane të industrisë dhe tregtisë në Shqipëri, ku 81% e investitorëve e shohin vendin tonë si terrenin më të përshtatshëm në rajon për të investuar. Por edhe vende të tjera si Austria apo Italia kanë shfaqur një interes në rritje gjatë këtij viti për të zgjeruar investimet në Shqipëri. Gjithashtu në tremujorin e parë të këtij viti është vënë re se ka pasur një kërkesë më të lartë edhe nga biznesmenë grekë, të cilët aktualisht zënë vendin e parë përsa i takon investimeve të huaja në vendin tonë. Kjo e ndikuar edhe nga humbja e besimit për të investuar në ekonominë greke, nga situata kritike e shkaktuar nga kriza si dhe taksat e larta të përfshira nga programi i qeverisë për masat shtrënguese, por edhe mundësitë dhe kushtet më të mira për të bërë biznes në Shqipëri, si nga pikëpamja e kuadrit ligjor, tatimor dhe sigurisë. Gjatë vitete të krizës në Europë investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë vijuar rritjen, mesatarisht në nivelin e 3% të PBB në 2009-2011, ku vetëm në vitin 2010 këto investime arritën rekordin në nivelin e 300%.