E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet e huaja për 2008 bien për herë të parë pas 6 vitesh

Nga Fitim Zekthi

Niveli i investimeve të huaja direkte gjatë vitit të shkuar nuk ka mundur të kapë atë të investimeve të huaja të vitit 2007. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë bëjnë me dije se investimet e huaja për vitin që u mbyll, llogariten në rreth 540 milionë dollarë, ndërkohë që në vitin 2007 ato ishin saktësisht 600 milionë dollarë. Në fakt, projektet e investitorëve të huaj kanë qenë shumë të mëdha, kjo ka disa vite, por praktikisht janë investuar shumë pak. Investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur nga viti në vit me hapa shumë modestë dhe asnjëherë nuk kanë sjellë atë që është pritur apo atë që ka ndodhur në vendet e tjera të rajonit tonë. Në vitin 2006, investimet e huaja ishin 300 milionë dollarë, në vitin 2005, ishin thuajse në këtë nivel, ndërkohë që për vitin 2007 pati një rritje të qartë që i çoi ato në 600 milionë dollarë. Para vitit 2005 investimet e huaja direkte rriteshin afërsisht me rreth 50-70 milionë dollarë në vit. Kësisoj, ato në vitin 2001 ishin 153 milionë dollarë dhe me rritjen e vogël të përvitshme shkuan në 300 milionë dollarë në vitin 2005. Qeverisja e tashme, e ardhur në vitin 2005, kishte premtuar rritjen e investimeve të huaja në nivele të larta, megjithatë edhe ajo nuk mundi të bëjë asgjë, por thjesht të ruajë ritmin e viteve të mëparshme. Vendet e tjera të rajonit kanë një nivel investimesh të huaja të pakrahasueshëm me ne. Bosnja, e cila është vendi i fundit në rajon, por para nesh, ka një nivel investimesh të huaja prej rreth 1 miliard e gjashtë qind milionë dollarësh. Ky vend i ka rritur investimet e huaja direkte që prej vitit 2005 me mbi 1 miliard dollarë. Edhe Serbia ka investime të huaja direkte shumë më të larta sesa Shqipëria, po ashtu Maqedonia. Vendet e tjera të rajonit as që mund të merren për krahasim. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë nuk japin arsye, pse investimet e huaja në vend për vitin që shkoi ranë në krahasim me vitin 2007. Ato thjesht thonë se investimet e huaja janë përparësi e qeverisë, e cila i sheh ato si mjetin themelor të rritjes ekonomike të vendit. Në fakt, klima ekonomike në vend është e vetmja arsye pse investimet e huaja rriten kaq ngadalë dhe pse madje vitin që shkoi kanë rënë. Shqipëria është vendi që ka pritur disa forume të rëndësishme biznesi, siç është ai i Crans Montana-s apo ai i revistës “The Economist” dhe gjithherë pas këtyre takimeve biznesmenë të rëndësishëm janë shprehur se do të investojnë në Shqipëri, pasi ka mundësi të mëdha. Kjo ka ndodhur edhe gjatë takimeve të biznesmenëve të Dhomave të Industrisë të Piemontit, Austrisë, Gjermanisë, Puljas, Polonisë etj., por gjithherë asgjë nuk ka nisur. Fakt është vetëm se investimet e huaja gjatë vitit 2008 ranë me 60 milionë dollarë, krahasuar me vitin 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›