Eduard Selami: “Nga konflikti me gazetën “TemA” ka vetëm të humbur”
Intervistë ekskluzive e ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Eduard Selami, dhënë gazetës “TemA”
Eduard Selami, ish-kryetari i Partisë Demokratike, ngre shqetësimet e tij për disa nga zhvillimet e fundit në Shqipëri. Reforma kushtetuese, kriza e qeverisë me shtypin, mospërfillja reale e vlerave të PD tradicionale, si dhe kujdesi për të ruajtur standardet e një vendi që në muajin prill do të jetë anëtar i NATO-s, janë mesazhet që ai përcjell për mbështetësit e tij në Shqipëri. Eduard Selami, një nga figurat më karizmatike të PD, ka 13 vite që jeton në distancë me partinë që themeloi. Ai është i vëmendshëm për çdo zhvillim dhe i qartë shpeshherë më shumë se ata që duhet të marrin vendime këtu për rrugëzgjidhjet. Pyetjet më delikate për të natyrisht mbeten ato që kanë të bëjnë me rikthimin e mundshëm apo përgjigjet direkte për zhvillimet brenda PD. Gjithmonë ka një fjali që mbaron me kthimin, dhe asnjëherë nuk ka një fjali që fillon me kohën se kur do të kthehet në politikën shqiptare. Dhe pasi flet pak gjatë me të, duket se dëshiron të rikthehet për të vazhduar karrierën e tij dhe jo për të bërë më të lehtë apo më të vështirë karrierën e të tjerëve. përfshi dhe të atyre që e kanë detyruar të qëndrojë larg. Zoti Selami pranoi t’u përgjigjet disa pyetjeve që kanë të bëjnë me klimën e përgjithshme politike në Shqipëri, me reformën elektorale, integrimin e vlerave të Partisë Demokratike dhe rrugën tonë drejt NATO-s. Ai shpreh seriozisht rezerva për reformën kushtetuese dhe i bën thirrje PD të konsiderojë vlerat e saj themelore, të cilat shpesh injorohen ose lihen mënjanë. Sipas tij, ato i krijojnë asaj një bazë më të shëndoshë dhe ide më të qarta për qeverisje. Zoti Selami flet po ashtu për konfliktin e qeverisë me medien dhe gazetën “TemA” dhe tërheq vëmendjen se ky konflikt po thellohet përditë e më shumë duke dëmtuar seriozisht imazhin e vendit. Në fund ai premton qartazi se do të kthehet një ditë në politikën shqiptare duke cituar Wilson Churchill-in që ka thënë: “Nuk njoh akoma një njeri që ka pasur një jetë të qetë që ia vlen t’i përmendet emri”. Dhe duket se Eduard Selami ka dëshirë t’i japë fund ndoshta së afërmi jetës së tij të qetë personale
Shqipëria ka bërë një reformë të thellë kushtetuese, falë konsensusit mes PD dhe PS, e cila prek presidentin, kryeprokuroren, sistemin elektoral dhe garancinë e mos-rrëzimit të kryeministrit gjatë mandatit. Pas kësaj, shqiptarët kanë të drejtë të zgjedhin njërin nga dy liderët dhe fituesi zgjedh gjithçka. Sa të favorshme ose të dëmshme e shikoni këtë reformë kushtetuese për standardin e demokracisë në Shqipëri?
Ndërsa është për t’u përshëndetur konsensusi midis forcave kryesore, i cili në Shqipëri për shkak të mungesës së kulturës politike është i rrallë, rezultatet që u prodhuan prej tij, për mendimin tim, ishin një hap prapa për demokracinë shqiptare.
Së pari, sepse nuk iu dha kohë e mjaftueshme për një diskutim sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës të subjekteve politike, personaliteteve të vendit dhe specialistëve. Së dyti, sepse kjo ndërhyrje e nxituar rrezikon të prishë kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve që është aq i domosdoshëm në frymën e një Kushtetute në tërësi. Uroj që koha të më provojë gabim, për shkak të rëndësisë që ka ky problem në mbarëvajtjen e demokracisë në tërësi.
Shumë nga figurat e vjetra të PD janë inaktive ose të mënjanuar nga jeta politike edhe për shkak të mungesës së rregullave të lojës brenda PD. A mendoni se atë fat meritojnë apo kanë ende vlera politike?
Partia Demokratike, si partia e parë opozitare që solli rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe vendosjen e demokracisë pluraliste, u krijua si një front i madh antikomunist, ku fraksionet dhe diferencat ishin të pashmangshme. Po të kemi parasysh kohën dhe përmasat e saj, firoja është jo aq e madhe e mjaft nga figurat kryesore të saj janë akoma aktive. Natyrisht, ka mjaft të tjerë themelues që janë mënjanuar apo tërhequr për arsye të ndryshme. Ndërsa para ‘Fillimit të Ri’ ky mënjanim ishte deri diku i diktuar nga mungesa e demokracisë së brendshme, sot mendoj se ekziston një frymë me pozitive për të shprehur mendimin ndryshe në PD. Natyrisht, në këtë fushë akoma ka mjaft rrugë për të bërë, jo vetëm në PD, por në mbarë spektrin e politikës shqiptare. Në PD ka mjaft figura politike që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në vitet e para në nivelin lokal dhe qendror, me një pjesë të të cilëve unë pata nderin të takohem në vizitën time të fundit, të cilët nuk shfrytëzohen sa duhet nga drejtuesit e sotëm partiakë qeveritarë apo parlamentarë. Kjo vjen si për shkak të xhelozisë së natyrshme, aq edhe për shkak të mentalitetit dritëshkurtër e mendjembyllur që ekziston akoma se historia fillon me mua. Ndërsa është një praktikë mjaft frytdhënëse pune në Perëndim tërheqja e mendimit të paraardhësit, në çdo nivel e pozitë, kjo praktikë akoma nuk është futur gjerësisht në Shqipëri.
Kryeministri Berisha po kritikohet nga institucionet ndërkombëtare, siç është Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve në Nju-Jork, për përplasje me medien dhe hakmarrje ndaj saj. A shihni një shqetësim serioz në këtë çështje, përfshi dhe krizën e gazetës “TemA” në raport me qeverinë?
Patjetër që ky është një shqetësim serioz. Dhe mua më vjen keq që një fenomen i tillë ndodh, për shkak se, midis të tjerash, në këtë konflikt janë përfshirë njerëz, të cilët kanë dhënë prova konkrete dhe kontribut në luftën për liri, demokraci dhe mbrojtjen e fjalës së lirë në Shqipëri. Fatkeqësisht, ky problem sa vjen dhe po rëndohet dhe po shndërrohet potencialisht në një konflikt, ku nuk ka të fituar, por vetëm të humbur. Dhe humbësi më i madh është liria e shtypit dhe demokracia shqiptare. Është jo vetëm detyrë, por edhe përgjegjësia jonë e përbashkët të mbrojmë lirinë e shtypit, fjalën e lirë dhe shtetin ligjor, pavarësisht nëse jemi dakord me ato që shkruhen në gazetë apo jo. Kjo nuk bëhet thjesht për gazetën “TemA” apo ju. Duke qenë një vend i vogël, ku njerëzit njihen me njëri-tjetrin, ky fenomen po personalizohet duke rrezikuar të thellohet dhe të dëmtojë edhe më tej. Si mundet të shpërfillet një vendim gjykate nga qeveria duke goditur në thelbin e një shteti ligjor, barazinë përpara ligjit për të gjithë individët dhe subjektet? Për më tepër që këtu përfshihet edhe problemi i lirisë së shtypit, që është një nga themelet e demokracisë së institucionalizuar. Uroj që ky konflikt të zgjidhet sa më parë në rrugë ligjore, jashtë pasioneve dhe paragjykimeve. Kjo është në të mirën e përbashkët, përfshi edhe qeverinë.
Shqipëria do të hyjë në prill në NATO dhe, sipas gjithë gjasave, SHBA do të jenë sponsori kryesor i këtij anëtarësimi. A është kjo një çështje standardesh që ka plotësuar Shqipëria apo një çështje gjeopolitike që tejkalon profilin tonë?
Është një ngjarje, të cilën si shumë shqiptarë kudo që janë, unë mezi po e pres. Shqipëria ka qenë nga vendet e para ish-komuniste që ka bërë kërkesë dhe ky pranim është një fitore e madhe për demokracinë shqiptare, çështjen shqiptare, si dhe paqen dhe stabilitetin në rajon. Mirënjohja ime, ashtu si e juaja, i drejtohet miqve dhe dashamirësve të shqiptarëve, që na kanë ndihmuar në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, e në veçanti Amerikës.
Dhe, së fundi, një pyetje personale. Sa është e përfshirë familja juaj në planet tuaja politike? A guxon t’ua thuash se një ditë mund të rikthehesh?
Patjetër që familja ime është e përfshirë në këtë vendim. Me Pegin kemi mirëkuptimin se, nëse rikthimi im do t’i shërbejë Shqipërisë, ajo është dakord me këtë vendim. Fëmijët kanë lindur këtu dhe janë akoma të vegjël për t’i përfshirë në këtë vendim. Kur të rriten, unë besoj se ata do të më falin që unë ju prisha rehatinë dhe privilegjin e të jetuarit në Amerikë për t’u përpjekur për të përmirësuar sadopak jetën e mijëra fëmijëve shqiptarë në vendin e Nënë Terezës, siç e quajnë ata me mburrje mes shokësh Shqipërinë. Sa për vete, sa herë mendja shkon te ky vendim, më është ngulitur në kokë një shprehje e Wilson Churchill-it, se nuk njoh akoma një njeri që ka pasur një jetë të qetë që ia vlen t’i përmendet emri.