E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarët e dorës së parë dhe “të tjerët”

Nga Mero Baze

Shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës u shkarkua dje, pasi, sipas njoftimit gjysmë zyrtar, ka goditur makinën e shoqëruesve të kryeministrit në gjendje gjysmë të dehur. Nuk dua të gjykoj për fajësinë ose jo të kryepolicit rrugor të Tiranës, por mbi gjestin e eprorëve të tij dhe të drejtat e qytetarëve. I njëjti person është akuzuar nga disa qytetarë për arrogancë dhe fyerje. Madje, çështja shkoi në gjykatë dhe ministri Nishani e konsideroi këtë një sulm politik ndaj ministrisë së tij. Dhe për shkak të këtij vlerësimi, qeveria angazhoi gjithë potencialet e saj në gjykata që shefi i qarkullimit të dilte i pafajshëm dhe të rikthehej në detyrë.

E gjithë kjo betejë u bë praktikisht për një njeri, karriera e të cilit në krye të qarkullimit të Tiranës kishte kaluar përmes familjarëve të ministrit dhe jo sipas rrugës normale. Për shkak të këtij përkushtimi familjar, ministri e mbajti në detyrë me dhunë dhe mes tij dhe qytetarëve që u ankuan, donte të besonte vartësin e tij. Kjo tendencë për t’i mos i dëgjuar ankesat e qytetarëve dhe për të çuar deri në fund keqpërdorimin e pushtetit, sjell një gjendje të dyfishtë arrogance nga zyrtarët e vegjël, të cilët pas kësaj ndjehen të përkëdhelur të pushtetit.

Tashmë rezulton që Ahmeti pushohet nga puna, se ka goditur eskortën e kryeministrit në gjendje të dehur. Tashmë, kam të drejtë unë si qytetar të dyshoj për të vërtetën, nëse ajo nuk ndjek të njëjtën rrugë. Bodyguard-ët e kryeministrit duhet po ashtu si qytetarët ta çojnë çështjen në gjykatë dhe jo t’i telefonojnë Bujar Nishanit dhe gjykata të përsërisë procesin e gjykimit që bëri për qytetarët herën e parë. Është e patolerueshme që mes ankesës së një qytetari dhe vartësit të tij ministri Nishani zgjedh vartësin, duke shkelur me këmbë pikën më delikate të profilit të policisë në vend, që është respektimi i të drejtave të njeriut dhe po në të njëjtën kohë, mes shefit të tij dhe bodyguard-it të kryeministrit beson menjëherë bodyguard-in.

Nëse Ahmetin e ka kthyer në punë përmes gjykatës, po përmes gjykatës duhet ta rishkarkojë ose ta risjellë në punë. Por kjo nuk pres të ndodhë. Nuk pres të ndodhë, pasi kështu të gjithë imitojnë modelin e kryeministrit. Meqë kryeministri shumicën e emërimeve i bën nga rekomandimet e djalit ose vajzës, dhe Nishani, aq pak vende bosh sa i lënë, i bën përmes vëllait apo familjarëve të tjerë. Po ashtu, përderisa kryeministri, kur emëron apo shkarkon dikë, nuk pyet ligjin, por interesat e prishura apo të ndrequra të tij, dhe ministri përsërit të njëjtin mekanizëm. Tashmë, shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës është një i papunë, i flakur, për shkak se është ndeshur me një qytetar të dorës së parë, i cili është bodyguard i kryeministrit. Prokurori apo qytetarë të tjerë që janë ankuar për të, janë sipas ministrit Nishani qytetarë të dorës së dytë dhe të parëndësishëm për të justifikuar mbajtjen e një qëndrimi ndaj shefit të qarkullimit.

Ky model arrogance i ushtrimit të pushtetit është modeli ndoshta më i keq që qeveria ofron për qytetarët. Haptazi ajo ndan në qytetarë të dorës së parë dhe në qytetarë të dorës së dytë shoqërinë tonë, duke u bazuar në raportet që kanë me kryeministrin. D.m.th., nëse dikush këtu prek njerëzit e kryeministrit, bodyguard-ët, fëmijët, nipat dhe mbesat e tij, pra atë që ai tashmë e ka formësuar si oborri feudal i tij, gjithkush ndëshkohet. Nëse preken qytetarët e tjerë, kjo s’ka asnjë rëndësi. Madje, më keq akoma, qeveria do të hidhet në luftë të bëjë presione nëpër gjykata, me qëllim që e drejta të mos shkojë kurrë te qytetari, por te zyrtari që ka abuzuar.

Ky standard është ndoshta më primitivi që shteti ka vendosur me qytetarët e vet, pas vitit 1992 në Shqipëri. Garancitë për respektimin e dinjitetit të qytetarëve nuk kanë qenë në duar kaq të pasigurta dhe në kritere kaq selektive dhe poshtëruese. Zyrtari i vogël, Krenar Ahmeti, e ka ilustruar më së miri gjithë këtë tablo, edhe duke ushtruar pushtetin e tij, edhe duke u zbuar prej tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›