Konsultë për marrëdhënie publike me Flamurin
Antena brenda familjes
Dje, kryeministri ka thirrur një takim urgjent me kryesinë e vogël. Çështja që do të diskutohej ishte se nuk po funksionojnë marrëdhëniet publike. “Kam një javë, - tha, - që shkruaj deklarata për Genc Rulin dhe ai as merr mundimin të marrë në telefon. Ai zotëria bën sikur nuk e vë re unë këtë gjë. Unë përpiqem t’u përgjigjem këtyre çakejve që po na shqyejnë, ai bën si i moderuar dhe ikën nëpër rrethe në takime. Dua të merren masa urgjente.”
- Po ç’të bëjmë o byrazer? - tha Ridvani. - Bjeri ti, shkrujmë ne, mos u merr vetë.
- Jo, do merrem vetë unë me atë, se ai është marrë me familjen time. Por zotëria Ruli s’mund të bëjë sikur nuk shikon se ç’bëhet. Se ç’më paska dhe një zëdhënëse që mbledh buzët, kur lexon deklaratat e mia. Jo atë s’e toleroj unë. Ose t’i lexojë mirë dhe rrjedhshëm si Bogdani, ose të iki të shikojë punët e saj. Njerëz me dy fytyra nuk dua këtu. Jo zotëri, se s’kisha kujt t’ia lexoja deklaratën në telefon. Mezi gjeta një tjetër, d.m.th., si telefon i prishur.... Pse? Se nuk do zoti Ruli të përfshihet në betejë. Jo këtë s’e toleroj unë. Ta dijë mirë ai.
- Po ne me se mund të të ndihmojmë? - ndërhyri Flamuri?
- Ju t’i rimerrni deklarata, me se të ndihmoni. A kam thënë unë që në tenderin e ARMO-s të parët ishin demokratë dhe të dytët socialistë që mbrohen nga Mero Baze dhe Edi Rama. Ato të thoni.
- Doktor, se e ngatërrove më duket. I pari është socialist dhe mbrohet nga Edi Rama, është Rezart Taçi. I dyti është ai i ujit “Lajthiza”, Hajri Elezi, ai që të sillte gjithmonë ujë në opozitë dhe e mbaje në tavolina në konferenca për shtyp, kur denoncoje “Taçi Oil”-in si kontrabandist.
- Mos më trego mua ti zotëri kush është socialist e kush demokrat, se e di mirë unë. Hajri Elezin e ka blerë Edi Rama në vitin 2005, se hoqi dorë nga uji “Lajthiza” dhe u mor me naftë. Po të ishte demokrat i vërtetë, qëndronte tek uji, jo te nafta. Aty e kam pa që ka qenë socialist i infiltruar në radhët tona.
- Më fal se nuk e dija, - tha Flamuri. - Dhe unë isha gënjyer nga uji “Lajthiza” që të binte ty. Dhe kam tentuar ta ndihmoj më pas. Dhe unë vonë e kam kuptuar që ka qenë i infiltruar.
- Jo zotëri, ne kemi pas një konsorcium dhe vetëm një, atë që fitoi. “Mercuria Investment” e nisi me dhjetë për qind dhe përfundoi me 25 për qind. Është një nga kompanitë më serioze. Damiri është pronar i saj, Damir Fazlliç, zotëri, e ka ngritur me gjak e djersë. E ka regjistruar në Qipro, pasi ka bërë disa transaksione në Uashington në 2007. S’e ka pasur të lehtë ta marrë. Dhe ia ka dalë. I kam pa letrat, i ka në rregull. Damir Fazlliç zotëri nuk është trafikant dhe as socialist. Është miku im i shtëpisë. Ai e ka blerë ARMO-n. E di që kan hap llaf që drejtori i ri i ARMO-s është emëruar nga Taçi. Nuk është e vërtetë. Më ka thënë Shkëlzeni është mysliman i drejtë dhe i ndershëm. Ka qenë nënkryetar i Komitetit mysliman. E ka marrë djali, ka vënë dorën mbi Kuran dhe është nisur në punë. Është betuar që s’do vjedhë asnjë litër naftë. E kanë gjet me fe. Jo, s’ua lëmë të pafeve në dorë naftën. Ka një rregull këtu. Nafta del atje ku ka Kuran. Ndaj e kemi gjet me Kuran dhe drejtorin. Taçi është kot. Është kukull. E kemi vënë nga frika se mos dështonim dhe ta mbante ai përgjegjësinë. Po përndryshe ARMO është në duar të sigurta. Kam kontroll mbi gjithçka. Më raportojnë çdo darkë në shtëpi se si po shkon puna. Se ju i nënvleftësoni njerëzit zotëri, por Artan Santo është një bankier i shkëlqyer. I kam lëvruar unë fondet e shëndetësisë atje, rreth 300 milionë euro dhe ka bërë mrekulli. I ka depozituar në Zvicër me interes të lartë, ka marrë andej garanci dhe i ka dhënë kredi Damirit për ARMO-n 87 milionë. Bankier i mrekullueshëm. E njeh tregun. Jo, ne s’kemi bankier tjetër veç atij. Janë kot të tjerët. Ka bërë manovër të shkëlqyer. Këta të tjerët janë kot. Nuk dinë se si t’i përdorin paratë, ndaj dhe s’ua japim. Po ia japim të gjitha këtij. Po s’ke kujt ia thua. S’bëjmë dot marrëdhënie publike, se na mbytën këta çakejtë. Por dhe Taçi është djalë i zoti. Nuk la ven pa shku, derisa i gjeti lekët në Azerbajxhan, në Iran, në Zvicër. Derisa i rregulloi.
- Si është puna e këtij Iranit doktor? - e pyeti Flamuri, - se ca ia thonë emrin Iran, ca ia thonë emrin Irak. Si e ka tamam?
- Flamur, e ka Iran, Iraku është tjetër. Po nejse, duhet me punu. Atij i duhet me dhënë përgjigje. Atij çakallit dhe këtyre bushtrave të Amnesty International, këtij Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Reporterëve pa Kufij, të gjithëve u duhet dhënë përgjigje. Por ai Ruli po fshihet. Jo atë s’e fal më.