Policia ndalon stafin e të përditshmes që të hyjë në zyra
Organizata Reporterë pa Kufij dënon aksionin e policisë për të bllokuar hyrjen në zyrat e të përditshmes private, “TemA”, më 9 janar, pavarësisht një vendimi të gjykatës, i cili autorizon gazetën që të vazhdojë të jetë në ambientet e saj.
“I bëjmë thirrje ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, të zbatojë vendimet e gjykatës dhe të lejojë gazetarët të hyjnë në zyrat e tyre”, - thanë Reporterët pa Kufij. “Ne gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë të ndalojë së përdoruri aparatin shtetëror për të penguar shtypin. E drejta për të replikuar dhe debatuar vazhdon të jetë metoda më e thjeshtë dhe më efektive për të ruajtur dialogun e nevojshëm mes medies dhe politikanëve.”
Policia rrethoi hyrjen e zyrave të “TemA”-s më 9 janar, duke ndaluar gazetarët dhe punonjësit e tjerë që të hyjnë brenda. Ministria e Brendshme tha se po zbatonte një vendim të dhjetorit të Ministrisë së Ekonomisë për prishjen e njëanshme të kontratës me “TemA”-n për marrjen me qira për një periudhë 20-vjeçare të zyrave në një godinë shtetërore.
Në një deklaratë të postuar më 9 janar në faqen në internet të “TemA”-s, botuesi Mero Baze deklaroi se prishja e kontratës për qiranë ishte hedhur poshtë nga një vendim i gjykatës që mban datën 6 janar, që i lejon gazetës “TemA” të vijojë punën në ambientet e saj. Gjatë javëve të fundit, gazeta “TemA” ka publikuar artikuj në lidhje me çështje korruptive, në të cilat janë të implikuar zyrtarë të qeverisë.
Shqipëria renditej e 79-a nga 173 vende në raportin e fundit të indeksit të lirisë së medies, përgatitur nga Reporterët pa Kufij.