Rama, drejt kandidimit të katërt në Tiranë
Qytetarët e Tiranës dhe opinioni publik pritet të njohin sot në mënyrë zyrtare emrin që do të përfaqësojë opozitën në garën për bashkinë më të madhe në vend, atë të kryeqytetit. Kështu të paktën ka paralajmëruar kryetari aktual i kësaj bashkie, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili me shumë gjasa do të jetë sërish i zgjedhuri nga opozita si kandidat për një mandat të katërt si qytetar i parë i Tiranës. Vendimin Rama pritet ta shpallë vetëm pasi ta diskutojë këtë gjë me grupin parlamentar, të cilin do e mbledhë sot në orën 12.00.
Kandidaturat
Kreu socialist Rama pritet t’i japë fund sot dilemës për rikandidimin e tij për kreun e Bashkisë së Tiranës. Gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar me gazetarët ditën e premte, kreu socialist bëri të ditur se të hënën do të kishte një komunikim lidhur me emrin që do të përfaqësonte koalicionin opozitar në zgjedhjet për bashkinë e kryeqytetit. Askush dje në Partinë Socialiste nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë absolute rikandidimin e Ramës, megjithëse sipas zërave që kanë qarkulluar orët e fundit, por edhe pritshmërisë së vetë socialistëve, kjo gjë është bërë thuajse e sigurt. Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur se konceptimi i këtyre zgjedhje si politike, e bën të nevojshme rikandidimin e kreut të kësaj force, Edi Rama, pasi ai për socialistët jo vetëm konsiderohet kandidati më i mirë i opozitës, por edhe si njeriu me të cilin fitorja e Tiranës sipas tyre është e sigurt. Gjithashtu ky rikandidim duket i sigurt pasi edhe strukturat e partisë së Tiranës kanë muaj që po punojnë për fushatën e kreut socialist për Bashkinë e kryeqytetit. Por para se të shpallë verdiktin e vet, Rama pritet ta diskutojë këtë gjë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar, i cili është thirrur sot në mesditë. Megjithëse nuk ka një rend të paracaktuar, deputetë të ndryshëm socialistë nuk kanë përjashtuar këtë diskutim, duke u nisur edhe nga fakti se është një gjë e rrallë që grupi parlamentar socialist të mblidhet ditën e hënë. Pavarësisht kësaj, ditët e fundit janë përfolur edhe një numër jo i paktë emrash të tjerë të cilët do të ishin zëvendësuesit e Ramës, në rast se ky i fundit do të hiqte dorë nga ky konkurrim. Njëri prej këtyre emrave është edhe ai i kreut të PS-së së Tiranës, Besnik Bare, emri i të cilit ashtu si dhe emrat e Pandeli Majkos, Erion Braçes apo Blendi Klosit i janë nënshtruar dhe testimeve me anë të sondazheve te zgjedhësit e Tiranës. Megjithëse secili prej këtyre emrave mund të konsiderohet më i dobët në krahasim me kandidaturën e Ramës, burime të tjera nga PS nuk kanë dashur as dje t’i përjashtojnë si mundësi.
Posterat
Pavarësisht dilemës që shoqëron emrin e opozitës për Bashkinë e Tiranës, Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për t’u futur vrullshëm në fushatën elektorale. Kështu, media vizive kanë bërë të sigurt dje rikandidimin e Ramës dhe kjo duke u nisur pikërisht nga posterat dhe banderolat e prodhuara jashtë vendit dhe në qendër të të cilave flitej dhe për garën e Ramës për bashkinë më të madhe në vend. Megjithatë, burime nga Partia Socialiste, megjithëse kanë konfirmuar prodhimin e rreth 150 mijë posterave, fletë-palosjeve apo materialeve të tjera ekspozuese për fushatën elektorale, kanë bërë të ditur se në to kreu socialist paraqitet vetëm si kreu i Partisë Socialiste dhe lider i opozitës. Gjithnjë sipas këtyre burime, këto postera do të shërbejnë për gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm për Tiranën.