E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet për 100-vjetorin në letër, Bashkia: Pa fonde

Sheshi i Flamurit në Vlorë

VLORE/ Në plan vetëm dy rikonstruksione. Qytetarët mbeten skeptikë.

Ky vit që përkon edhe me 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë po e gjen Vlorën të shkatërruar. Asnjë punim nuk shihet nëpër rrugë e objekte, ndonëse më 28 Nëntor pritet që në Vlorë të mbërrijnë shumë personalitete brenda e jashtë vendit, qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe turistë.  Tri javë më parë, Bashkia miratoi projektbuxhetin e vitit 2012, por ky projekt ishte mjaft i varfër. Bashkia deklaroi se mund të mbulonte me fondet e saj vetëm rikonstruksionin e dy shesheve, atij të Flamurit dhe Sheshit të Skelës. Ndërkaq, bulevardi kryesor ka mbetur i shkatërruar, pasi është konstatuar se firma e punimeve ka abuzuar me fondin e dhënë. Për këtë shkak punimet janë pezulluar dhe firma duhet të nisë nga e para punën e saj. Ndonëse kanë kaluar rreth tri javë që u miratuan fondet për dy sheshet, ende nuk kanë nisur punimet. Bashkia thotë se do të nisë rikonstruksionin e tyre së shpejti, por nuk përcakton një datë të afërt. Qytetarët shprehen mosbesues ndaj këtyre dy projekteve, duke qenë se koha është e pamjaftueshme nëse nuk fillojnë punimet që tani. Koha e sezonit turistik po afron dhe, nëse punimet nuk do të kenë mbaruar, atëherë mbetet gjysma e dytë e shtatorit, kur pushuesit të jenë larguar.

Fasada pallatesh në qytet

Janë disa projekte të rëndësishme të hedhur në harta dhe të miratuara, si Unaza e Madhe, bulevardi kryesor nga hyrja e qytetit deri në Sheshin e Skelës, unaza kryesore nga ambulanca deri në zonën e Akademisë së Marinës, si dhe lungomarja nga Sheshi i Skelës deri në Ujin e Ftohtë. Kemi edhe disa projekte të tjera, por për asnjë prej këtyre nuk kemi fonde. Këto fonde ia kemi kërkuar qeverisë shqiptare ti sigurojë, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Por deri tani nuk është miratuar apo dhënë asgjë nga qeveria, u shprehën burime nga Bashkia e Vlorës.
Një tjetër problematikë e dukshme për qytetin e Vlorës janë fasadat e amortizuara të qytetit. Deri më tani është folur shumë për lyerjen e tyre, në mënyrë që qyteti të ofrojë një pamje sa më të mirë me rastin e festimeve të pavarësisë. Por duket se kjo festë do ta gjejë Vlorën me pamjen e zymtë që të afron tani. Për herë të fundit, pjesa më e madhe e bllokut të pallateve në bulevardin Vlorë-Skelë është lyer në vitin 2003, kur Bashkia drejtohej nga Niko Veizi. Që prej asaj kohe nuk është lyer asnjë metër fasadë e pallateve në këtë bulevard, apo edhe në pjesë të tjera të qytetit. Vetë banorët thonë se nëse nuk kryhen para se të nisë sezoni këto punime nuk do ketë më mundësi që pas shtatorit të jenë gati për ditën e Pavarësisë.

Fier, rruga e spitalit në gjendje të rënduar
FIER – Trafiku i dendur është kthyer në makth për qytetarët që u duhet të kërkojnë ndihmën e spitalit të Fierit. Rruga që lidh qytetin me spitalin është thuajse e pakalueshme me makina. Parkimet e paligjshme të automjeteve, infrastruktura e dëmtuar rrugore dhe lëvizjet në krahun e kundërt të tabelave orientuese, e kthejnë këtë aks të rëndësishëm rrugor në një burim aksidentesh, zhurme e kaosi, por edhe në një problematikë mjaft shqetësuese për rastet e urgjencave. Kam pritur dy orë në fund të rrugës së spitalit. Askush nuk merr masa për të stabilizuar trafikun. E zbritëm të sëmurin dhe e kaluam në shi, derisa e çuam më këmbë në spital, u shpreh A.Lushaj, banor i Fierit. Për shkak të trafikut të dendur, kjo rrugë ka shkaktuar probleme edhe me gratë shtatzëna, të cilat kanë rrezikuar të lindin pa mbërritur në maternitet. Nuk lëvizim dot me ambulancë, pasi rruga është e bllokuar gjatë të gjithë ditës. Kemi pacientë të sëmurë që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme në urgjencën e spitalit dhe nuk arrijmë në kohë aty. Kjo pjesë e rrugës është shumë problematike dhe gjatë gjithë kohës kërkohet ndërhyrja e policit rrugor për të stabilizuar trafikun. Është një gjendje kaotike që vë në rrezik jetën e qytetarëve, u shpreh Simon Qano, drejtues i njërës prej autoambulancave të qytetit. Duke parë situatën e krijuar, janë ndërmarrë disa herë aksione ndëshkuese nga ana e policisë rrugore ndaj drejtuesve të automjeteve, të cilët nuk respektojnë rregullat e qarkullimit. m.r

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›