Fluks afganësh në Shqipëri, 24 klandestinë kapen në Gjirokastër
GJIROKASTER Fluks afganësh në vendin tonë. Vetëm në një ditë u bllokuan 24 klandestinë gjatë tentativës për ta kaluar transit nëpërmjet vendit tonë nga Greqia për në Itali. Grupi i parë prej 12 personash ishte duke udhëtuar me një autobus, ndërsa tjetri u bllokua ndërsa lëvizte në këmbë, në fshatin Sopik, shumë pranë kufirit grek. Autobusi me klandestinë u bllokua në momentin e fundit nga postblloku policor i instaluar në zonën e Ujit të Ftohtë të Tepelenës. Të gjithë afganët gjendeshin në bordin e një autobusi që shkonte drejt Elbasanit dhe që vinte nga qyteti bregdetar i Sarandës. Klandestinët i përkisnin moshës nga 20-45 vjeç. Transporti i afganëve në drejtim të Elbasanit i ka kushtuar drejtuesit të autobusit të linjës. Atij iu bllokua mjeti, dokumentacioni shoqërues, si dhe pas një seance pyetësore me oficerët e Policisë së Gjirokastrës, u la i lirë duke u kthyer drejt vendlindjes së tij, me makina të rastit. Nga hetimet paraprake, rezulton se afganët vinin nga Greqia dhe kishin destinacion final Italinë. Burimet zyrtare të Policisë deklaruan se të gjithë afganët e ndaluar u rikthyen mesditën e së dielës drejt Greqisë, sipas Konventës Ndërkombëtare të Riatdhesimit. p.n