E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Po erdha në pushtet, do t’i prish rrugët!

Taktikat e dhunës jakobine të Edvinit, po u ngjajnë përditë taktikave të talebanëve në Pakistan, të cilët në kulmin e përmbytjeve, deklarojnë se do t’i djegin ndihmat e perëndimorëve. Për PS, në Shqipëri duhet kthyer kushtetuta e 1976-s që ndalonte investimet e huaja, ndërkohë që rrugët duhet të kthehen në standardet e kolekëve, gogove, sofove e hyskëve. Por nga kazinotë e Los Anxhelesit, kërcënimet për dhunë janë thjesht blofe. Në shekullin e lëvizjes së lirë, s’do të lejohet kthimi në Shqipërinë e Byrosë Politike të dajë Kolekës

Alternativa e mohimit të çfarëdolloj rezultati të qeverisjes, po e çon opozitën në pozicionet destruktive të nisjes së një kryqëzate kundër çfarëdolloj investimi të huaj, kundër çfarëdolloj investimi vendas e kundër të gjitha fitoreve të lirive dhe të të drejtave të njeriut. Edhe pse me korrespondencë që nga Makao-ja e Los Anxhelesi, ku janë të përqendruara kazinotë dhe jeta okulte, Edi Rama dhe të tjerët që e shoqërojnë s’reshtin së mallkuari investimet qeveritare dhe së kërcënuari të gjithë përfituesit e momentit a të perspektivës prej këtyre investimeve, se s’do të lënë gjë pa bërë për të zhbërë atë ç’është arritur deri më tani. Do të anulojmë gjobat e vendosura nga institucionet shtetërore, ka deklaruar vetë Edvin Rama, pa iu dridhur qerpiku, do të anulojmë privatizimet, do të prishim kontratat sipërmarrëse, do të...do të... Dhe mallkimet dhe angazhimet destruktive që nisin me frazën “Po erdha në pushtet...” tashmë kanë mbërritur në stadin e mbramë dhe pritet që celulat komuniste, sidomos në zonën e Bregut të artikulojnë teorinë më të fundit: “do të prishim edhe rrugët, po erdhëm në pushtet”. Fraza nuk është thjesht një cinizëm politik, është një alternativë e përsosur me taktikat bolshevike e terroriste për të prishur çfarëdolloj strukture e cila mund të sjellë kapital politik për të djathtën dhe kryeministrin Sali Berisha. është një alternativë prishëse që të kujton fort tezat e fundit të talebanëve në Afganistan e Pakistan, të cilët në kulmin e përmbytjeve e të katastrofave natyrore, kanë përpunuar teorinë “nuk i duam ndihmat e perëndimorëve”. Edvini nuk i do rrugët e ngritura nga qeveria, pasi ato i nxjerrin enklavat komuniste nga izolimi ku i kishte lënë propaganda leniniste e “3 anëtarëve të Byrosë Politike”, siç tha dje në Vuno kryeministri Sali Berisha. Shqipëria nuk duhet t’i ngjajë më Evropës, Shqipëria nuk duhet të ngjajë e ndryshuar, pasi ajo është një investim i sigurt elektoral veç kur të rikthehet në stadin që e lanë kolekët, gogot, sofot, hyskët e të tjerët. Për Edi Ramën duhet të rikthehet kushtetuta leniniste e 1976-s, e cila dënonte hapur investimet e huaja, duhet kthyer izolimi standard, duhet kthyer qetësia në vathën elektorale të brezit të dytë të byroistëve. Prandaj, për t’u kthyer kjo qetësi, s’ngurohen të shantazhohen edhe investimet publike, edhe rrugët. Provat e kësaj kataklizme politike mund të gjenden edhe më herët në politikën shqiptare dhe 1945-a është shembulli i qartë i rrafshimit të gjithçkaje, në mënyrë që të garantohet një pushtet afatgjatë. Dhe për nipin e kolegëve dhe të bijtë e tjerë të nomenklaturës, alternativa politike “Po erdhëm në pushtet, do t’i prishim rrugët”, është një zgjidhje e pranueshme e cila edhe do të tentohet.
Megjithatë, lajmi i mirë për shqiptarët është se këto fraza tashmë po i shqiptojnë disa karikatura politike, disa përfaqësues politikë të lodhur, të cilët s’po përballojnë dot as përfundimet e mandatave që kanë marrë përsipër, jo më të angazhohen fort për një themelim të ri të Shqipërisë, pas kataklizmës politike. Në Makao e Los Anxheles po rrinë disa politikanë të lodhur, që frazën “po erdha në pushtet”, nuk e kanë kushtore, por e kanë thjesht dëshirore. Që nga kazinotë, atyre u vjen në ndihmë veç taktika e blofit, por ajo është një strategji e zgjedhur keq. Politika e nipave të Bllokut shihet sheshit se është një politikë impotente, prandaj publikut le t’i kursehen kërcënime të tilla të denja për skenarë filmash me kartonë, e jo për politikë moderne e alternativa të shekullit XXI.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›