Konstituohet Këshilli i Lartë i Drejtësis
TIRANË – Pas një periudhe gati 2-vjeçare, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka filluar punën e tij në kushte normale, me trupën e anëtarëve të plotësuar sipas ligjit. Ky institucion ishte në krizë, pasi mungonin 5 anëtarë të tij, por dje ai është plotësuar pas votimit të anëtarëve të rinj rreth një muaj më parë, në Konferencën Gjyqësore. KLD-ja, ditën e djeshme ka bërë miratimin përfundimtar të anëtarëve të rinj. Burime zyrtare nga KLD-ja bënë të ditur se në mbledhjen e zhvilluar, Këshilli ka verifikuar mandatet e 5 anëtarëve të rinj, të dalë nga radhët e Gjyqësorit, pas zgjedhjeve të organizuara në Konferencën Gjyqësore Kombëtare.
Anëtarët
Për të vulosur ligjshmërinë e anëtarëve të rinj të KLD-së u ngrit Komisioni i Verifikimit të Mandateve. Ky i fundit ka shqyrtuar dokumentacionin mbi verifikimin e zgjedhshmërisë, pajtueshmërisë dhe ushtrimit në përputhje me ligjin të detyrës së anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për 5 anëtarët e rinj. Pas verifikimeve të bëra është dalë në përfundimin se zgjedhja e anëtarëve është bërë sipas ligjeve dhe rregullave të përcaktuara që më parë. Pesë gjyqtarët që kanë plotësuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë, janë: Besnik Imeraj, anëtar i Gjykatës së Lartë, Dritan Hallunaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Flamur Kapllani, Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ilir Mustafaj, Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Tritan Hamitaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Komisioni në raportin e paraqitur Këshillit të Lartë të Drejtësisë konsideroi në pajtueshmëri me ligjin përsa i përket zgjedhshmërisë, pajtueshmërisë dhe ushtrimit të rregullt të mandatit të anëtarit të KLD-së.
GJYQTARËT E EMËRUAR
Gjatë mbledhjes së djeshme është organizuar dhe ceremonia e betimit të dy gjyqtarëve të sapoemëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet: Ramiz Lala dhe Pashk Gjaci. Në rendin e ditës së mbledhjes, anëtarët e KLD-së kanë diskutuar në lidhje me organizimin, funksionimin dhe veprimtarinë administrative të gjykatës së re të krijuar në Përmet, duke evidentuar domosdoshmërinë e komandimit të një gjyqtari në funksionin e kryetarit të kësaj gjykate. Për këtë arsye, duke iu referuar dhe organikës së gjykatës të përbërë prej 4 gjyqtarë, dy prej të cilëve magjistratë të sapoemëruar, KLD-ja vendosi të komandojë Pashk Gjacin për të kryer përkohësisht detyrën e kryetarit të kësaj gjykate.
ANËTARËT E RINJ TË KLD-së
Besnik Imeraj, anëtar i Gjykatës së Lartë
Dritan Hallunaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda
Flamur Kapllani, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
Ilir Mustafaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
Tritan Hamitaj, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës
AFATET E PARABURGIMIT
Procesi për Gërdecit, rrëzohet kërkesa e tre të akuzuarve për lirim
Rrëzohen kërkesat për lirimin e 3 të pandehurve të Gërdecit në seancën e djeshme të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Tiranës. Trupa e gjyqtarëve nuk e vlerësoi si ligjore kërkesën e avokatëve mbrojtës për lirimin e të pandehurve për çështjen e Gërdecit, shtetasve Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Sokol Gjeçi. Avokatët patën pretenduar në kërkesën e tyre se afatet e paraburgimit për tre personat që po mbahen në gjendje arresti prej 17 marsit 2010, kanë përfunduar për shkak të zvarritjes së procesit gjyqësor. Ndërkohë, gjykata është shprehur se nga llogaritjet e saj ka rezultuar se koha e paraburgimit është brenda afateve, pasi numërimi fillon në qershor 2010, dhe jo në muajin mars 2010, kur dosja u depozitua në Gjykatën e Lartë. Gjykata e Shkallës së Parë deklaroi se numërimi i afateve hetimore fillon në momentin kur dosja u depozitua në këtë gjykatë, pas dërgimit të fashikullit nga Gjykata e Lartë. Pas vendimit, avokatët që përfaqësonin të pandehurit u larguan menjëherë nga salla e gjyqit, në shenjë proteste për vendimin sipas tyre të gabuar nga Gjykata. Biznesmeni Mihal Delijorgji, ndërtues i fabrikës së Gërdecit, Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s, ndërmarrje shtetërore e armëve dhe Sokol Gjeçi, ish-mbikëqyrës në Gërdec, akuzohen për vrasje masive ndaj më shumë se dy personave. Prokuroria i akuzon se janë përgjegjësit kryesore për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, ku viktima mbetën 26 persona, ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë, ndërsa shumë banesa e biznese u dëmtuan e shkatërruan.
Dashuria përmes Facebook-ut, arratiset në Shqipëri italiania 16-vjeçare
TIRANË - Është gjetur shëndoshë e mirë në Shqipëri studentja italiane Mariagrazia Ruvolo, e zhdukur që nga mëngjesi i së mërkurës nga shtëpia e saj në Terme Vigliatore. Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 19:00, me lot në sy 16-vjeçarja i ka telefonuar së ëmës duke i kërkuar falje për atë çfarë kishte ndodhur dhe duke deklaruar se ndodhej në një qytet jugor të Shqipërisë. E gjithë historia e arratisjes së adoleshentes është paraqitur në mediat e vendit fqinj. Sipas dëshmisë, vajza ishte njohur me 41-vjeçarin italian Fausto Vignolo nga Chiavari, i martuar dhe i divorcuar nëpërmjet Facebook-ut. Ai e kishte bindur vajzën që të largoheshin së bashku në një vend ku askush nuk mund t’i gjente dot. Tashmë, 16-vjeçarja është nën kujdesin e konsullit italian në Vlorë, Strozzi dhe të murgeshave italiane në këtë qytet, të cilat e kanë strehuar adoleshenten.
Ndërkaq nga policia shqiptare mësohet se 41-vjeçari, i cili u shoqërua të dielën në komisariat dhe për momentin do të ndiqet në gjendje të lirë vetëm për akuzën e mashtrimit me anë të krimeve kompjuterike nga Prokuroria e Tiranës.
Shqipëri-Belgjikë, marrëveshje kundër pastrimit të parave
TIRANË – Shqipëria dhe Belgjika do të lidhin së shpejti një marrëveshje për të ndërmarrë hapa të përbashkët në luftën kundër pastrimit të parave. Një gjë e tillë është bërë e ditur pas takimit që prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Ina Rama, zhvilloi dje me prokurorin Federal të Mbretërisë së Belgjikës, z. Johan Delmulle. Delegacioni belg, i cili viziton vendin tonë me ftesë të Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, kishte në përbërje të tij dhe magjistratët federalë, z. Eric Bisschop, shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar dhe z. Thomas Lamiroy, shef i Seksionit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Prokurorinë Federale, Ministria e Drejtësisë. Burimet zyrtare të organit të akuzës bëjnë të ditur se prokurori Federal i Mbretërisë së Belgjikës, z. Johan Delmulle, u interesua për aplikimin e ligjit të pastrimit të parave dhe theksoi rritjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve.
Në shërbim të kësaj ideje, kreu i delegacionit belg vlerësoi vendosjen e pikave të kontaktit të specifikuara sipas fushave të kooperimit dhe që kjo iniciativë të formalizohet nëpërmjet një marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunimit reciprok. “Mbi këtë ide konkrete, të dyja palët shprehën gatishmërinë për ngritjen e një grupi të përbashkët për të përcaktuar fushat dhe specifikat e marrëveshjes së bashkëpunimit”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.
Në Belgjikë ka shumë shqiptarë, të kërkuar nga drejtësia. Autoritetet belge dhe shqiptare kanë intensifikuar bashkëpunimin për kapjen e tyre, ekstradimin dhe vënien para drejtësisë.
Shtyhet seanca për Prudentinon, sot vendoset për ekstradimin
VLORË - Shtyhet sërish gjyqi për ekstradimin e Albino Prudentinos dhe ditën e martë pritet të vendoset për ekstradimin e tij. Shkak edhe kësaj radhe është bërë çështja e mbrojtjes për shtetasin italian. Edhe avokati i ri, Arjan Isufi, i caktuar për seancën e 3 dhjetorit nga Gjykata e Vlorës për Prudentinon, ka hequr dorë nga mbrojtja duke pretenduar se shkarkimi i avokatit Ferdinand Ndoi ishte i padrejtë.
Nga ana tjetër, edhe vetë Prudentino ka refuzuar të përfaqësohej nga avokati Arjan Isufi. Seanca është pezulluar disa minuta dhe pas rinisjes së saj, gjykatësja ka pranuar dorëheqjen e avokatit Isufi dhe ka caktuar avokaten Matilda Jazaj. Pas kërkesës së avokates Jazaj për t’u njohur me dosjen, gjykata vendosi të rinisë seancën sot, në orën 14:00. Albino Prudentino, 59 vjeç, u arrestua më 29 shtator në Vlorë. Një nga drejtuesit e organizatës kriminale mafioze, “Sacra Corona Unita”, Prudentino, akuzohet nga Gjykata e Leçes për bashkëpunim kriminal mafioz, trafik droge dhe grabitje në rrethana rënduese.
7 Dhjetor 2010