Investimet, realizimi përkeqësohet në 2008
Në një vit, qeveria rrit mosrealizimin e investimeve. Gjatë vitit 2008, realizimi i investimi mbetet në nivele minimale
Tremujori i parë i vitit 2008, ka qenë një dështim i radhës përsa i përket realizimit të investimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, Ministria e Financave bën të ditur se janë realizuar vetëm 5.18 miliardë lekë, nga 10.8 miliardë lekë që ishte plani i investimeve për tremujorin. Por, realizimi është më i ulët edhe se një vit më parë, duke bërë që të gjitha përpjekjet për të miratuar buxhetin që në 6-mujorin e dytë të vitit 2007, të jenë të kota. Gjatë 3-mujorit të parë 2008, janë realizuar 7 milionë dollarë më pak investime se në të njëjtën periudhë të vitit 2007, duke treguar se jemi sërish në fillimet e një viti të dytë, ku investimet publike nuk arrijnë të realizohen. E njëjta situatë ishte e pranishme gjatë gjithë vitit 2007, duke detyruar qeverinë që të ndryshojë të gjithë planet e saj në fund të vitit. Vetëm në muajin e fundit u kalua një buxhet në Parlament që ishte i treti për vitin 2007. Me anë të këtij ligji, që për çudinë e të gjithëve u miratua vetëm për një muaj, u alokuan 200 milionë dollarë investime që kishin dështuar gjatë gjithë vitit.
***
Edhe Banka e Shqipërisë, në deklaratën e saj të politikës monetare, ka deklaruar se qeveria vazhdon që të ketë një realizim të ulët të investimeve. “Zhvillimet fiskale të tremujorit të parë të vitit 2008, dëshmojnë për një politikë fiskale të përmbajtur, e cila ka rezultuar në një suficit buxhetor mbi nivelin e parashikuar. Grumbullimi i të ardhurave ka ndjekur një prirje në rritje, ndërkohë që shpenzimet për investime, për këtë periudhë të vitit, kanë pësuar tkurrje në krahasim me një vit më parë. Huamarrja e qeverisë gjatë kësaj periudhe, përfaqësohet nga huamarrja e brendshme”, - ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani. Pavarësisht se qeveria ka premtuar një rekord të investimeve në buxhet për vitin 2008, në 3 muaj, ka realizuar vetëm rreth 5.1 miliardë lekë investime, që nëse krahasohen me planin vjetor, mbeten minimale.
***
Investimet e realizuara gjatë 3 muajve të parë të vitit, janë vetëm 4.9 për qind të fondit total. Pra, për këtë periudhë, investimet duken se kanë qenë totalisht të bllokuara pasi nga 105. miliardë lekë që janë parashikuar të realizohen për këtë zë gjatë këtij viti, në periudhën në fjalë është arritur një nivel prej vetëm 5.2 miliardësh, ose 4.9 për qind. Duke parë këtë nivel tepër të ulët të realizimit të investimeve, kryeministri Berisha ka kërkuar nga ana e ministrive të linjës, dhe në veçanti të asaj të Transporteve, një kërkesë më të fortë ndaj firmave që zbatojnë projektet. Madje, për këtë çështje u hartua edhe një rregullore që skualifikonte firmat që nuk kishin kapacitete. Por rezultati duket sërish i njëjtë, madje më i ulët se ai i një viti më parë, duke nxjerrë në pah problemet e mëdha të administrimit të fondeve publike.