Qeveria, valë huamarrjeje në korrik
Sipas kalendarit të emetimeve të borxhit, financat planifikojnë të tërheqin nga tregu 55.1 miliardë lekë në korrik
Interesat e bonove të thesarit që emetohen nga Banka e Shqipërisë për llogari të qeverisë, pësuan një rritje graduale gjatë muajit të fundit, me mesatarisht rreth 10 pikë përqindjeje. Në ankandin e fundit, interesi i bonove 12 mujore arriti maksimumin e shumë kohëve në 8.17%, me rritje prej 3 pikësh bazë kundrejt ankandit të parafundit të zhvilluar më 6 maj, si dhe me rritje prej 16 pikësh bazë kundrejt muajit prill. Në interesat e bonove tremujore, ankandi i të cilave u zhvillua dje, interesat nuk njohën të njëjtin ndryshim.
Prej vitesh, vihet re se huamarrja e brendshme e qeverisë rritet ndjeshëm në muajin qershor dhe në muajin dhjetor, duke sjellë edhe rritje të interesave të bonove. Por këtë vit nuk vërehet ende kjo rritje në kërkesën për bono thesari. Sipas kalendarit të emetimeve të borxhit, publikuar nga Ministria e Financave, rritja e kërkesës do të shfaqet në muajin korrik. Gjatë muajit maj u emetuan 25.2 miliardë lekë bono, në qershor pritet të emetohen 27.6 mld, ndërsa në korrik, do të emetohen 55.1 miliardë lekë bono thesari.
Interesat në rritje
Interesat e bonove të thesarit ndikohen teorikisht nga kërkesë-oferta, por në rastin e Shqipërisë, ndikimin më të madh e ka interesi bazë në ekonomi. Interesi bazë, ose REPO, është rritur nga janari i vitit 2007 deri më sot me 0.75%, por interesi mesatar i borxhit të brendshëm është rritur me më shumë se 1%. Vlerësohet se rritja e interesave të borxhit me 1%, mund t’i kushtojë qeverisë rreth 35 milionë euro shpenzime për interesa më shumë në vit. Tregu i borxhit të brendshëm kontrollohet përgjithësisht nga një oligopol bankash në masën 70%, si dhe nga Banka e Shqipërisë me rreth 18%. Publiku i gjerë është dekurajuar nga investimi në këtë treg, gjatë viteve të fundit.
Efekti te kursi i këmbimit
Rritja e nivelit të huamarrjes në korrik dhe në dhjetor shkakton kërkesë për lekë në treg e për pasojë, sjell edhe forcimin e monedhës vendëse kundrejt valutës. Konkretisht, gjatë ditëve të fundit, leku u forcua si kundrejt dollarit, ashtu edhe kundrejt euros. Dollari zbriti në 77.5 lekë gjatë ditëve të fundit, ndërkohë që Euro qëndroi pa lëvizur, në nivelin e 122 lekëve.