E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimi në kulturë i kontribuon stabilitetit të shtetit dhe kombit

14-10-2012 / Nga Skënder Mulliqi

Është koha që Kosova më shumë ti kushtojë rëndësi edukimit të brezave të rinjë përmes kulturës, politikës si dhe kulturës mediatike .Shteti dhe të gjithë ne sikur kemi harruar së kultura dhe arti janë bazamenti i një shteti çfarë duhet të jetë. Ministria e Kulturës dhe çdo institucion tjetër përkatës e kanë për detyrë që të bëjnë shumë më shumë në edukimin ashtu si duhet të brezave të rinjë, duke ndërtuar politika të qendrueshme përkatëse afatgjate. Në këtë drejtim rol të madh kanë edhe mediat. Nga buxheti shtetëror të ndahen mjete në përkrahje të veprimtarisë kulturore që njëherit do t’i përshtatej edhe ngritjes së stabilitetit të shtetit dhe të kombit. Nuk thonë kot se kultura dhe njerëzit e kulturës janë ambasadorët më të mirë të një shteti. Ky postulat ishte dashur të bëhet platformë për ata që i drejtojnë sot institucionet e shtetit dhe për të gjithë të tjerët. Se vetëm me ngritjen e artit dhe kulturës edhe mund të matemi së sa e kemi kultivuar demokracinë dhe ndjenjën e atdhedashurisë, dhe mund të matemi edhe me vlerat e shteteve  më të përparuara në botë. Duke e kultivuar kulturën dhe artin ashtu si duhet, nuk e harrojmë as traditën e ndritur të rilindasve tanë të cilët e mbajtën gjallë shpirtin liridashës. Duke e ngritur kulturën i ngremë edhe ndjenjat e atdhedashurisë dhe i ruajmë shtyllat e identitetit tonë kombëtar. Po na mungojnë shumë aktivitetet kulturore të mirëfillta për të rinjtë të cilët   më shumë po bredhin rrugëve. E dihet pastaj së çfarë orientimi të çakorduar  mund të marrin ata gjatë rrugëtimit të tyre jetësor. Në atë vend ku nuk kultivohen vlerat kulturore të një populli, automatikisht vijnë në shprehje antivlerat dhe vlerat e huaja dehumanizuese. Me rëndësi është që të punohet mirë në të gjithë resortet e tjerë edhe në edukimin politik. Mediat e shkruara dhe veçmas  ato elektronike do të duhej   të bëjnë shumë më shumë duke u dhënë hapësirë programeve edukative dhe atyre programeve ku kultivohet gjithçka që vlen të veçohet për të mirë. Nëse me të rinjtë nuk punohet që më shumë të kultivohet ndenja e atdhedashurisë, ata edhe shumë lehtë mund të tjetërsohen. Çdo pushtet e ka për detyre të investoj në kulturë për ta ruajtur identitetin dhe çdo vlerë tjetër kombëtare . Ne vend të vlerave të mirëfillta kombëtare, shumë lehtë do të përqafohen antivlerat dhe çdo gjë tjetër që është komprometuese karshi identitetit tonë kombëtar. Të gjitha mund t’i arrijmë! Ata të cilët nuk janë të gatshem ose të cilët nuk deshirojnë të punojnë në këtë drejtim, do të ishte mirë t’u leshojnë vendin njerëzve  të cilët  kanë dije dhe vullnet t’i avancojnë vlerat kombëtare. Qëndrimi neutral apo opurtunizmi në këtë drejtim mund të na kushtojë shumë në të ardhmen. Nëse secili punon sa për t’i realizuar interesat personale, duke i anashkaluar ato madhore të mbrojtjes së vlerave kombëtare, do të ishte e udhës të largohen nga strukturat e shtetit. Logjika që të punojmë sot për nesër pa ndonjë program të caktuar veçmas në sferën e kulturës, është logjikë e cila sa më parë duhet flakur, nëse dëshirojmë të shpëtojmë nga antivlerat të cilat me të madhe sot po dominojnë në Kosovë. Nuk bën të jesh i papërcaktuar ose ta marrësh rolin e zjarrfikësit në as një sferë të jetës, e veçmas në jetën kulturore.Kështu rrezikojmë të na futën antivlerat dhe kulturat e huaja të cilave gjithsesi do të duhej ngushtuar sa më shumë që të jetë e mundur hapësirën se dikur vërtetë edhe mund të bëhet vonë…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›