E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Parlamenti europian vlerëson rekomandimin e komisionit për Shqipërinë”

14-10-2012 / Gazeta 55

Flet Eurodeputeti Jelko Kacin

Në një prononcim për mediat shqiptare në Bruksel, eurodeputeti Jelko Kacin i drejtohet forcave politike, se ato duhet të bëhen më aktive, më ambicioze dhe më kërkuese për të korrur sa më shumë rezultate për transformimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë, për ta sjellë vendin në nivelin e anëtarësimit. Eurodeputeti Kacin theksoi se Bashkimi Europian mbështet aspiratën e vendeve që kërkojnë të anëtarësohet, por dhe qytetarët shqiptarë duhet të bëjnë më shumë presion politikanëve pro-europianë që të votojnë reformat. “Ne duhet të mbështesim vendet dhe së pari të motivojmë qytetarët e këtyre vendeve të kërkojmë shumë më tepër nga politikanët. Politikanët duhet të jenë më të arsyeshëm dhe më të përgjegjshëm. Dhe kjo vlen dhe në rastin e Shqipërisë. Unë e vlerësoj rekomandimin e Komisionit Europian për Shqipërinë, për ta nxitur vendin që të japë shumë më tepër. Kroacia do ti bashkëngjitet Bashkimir Europian vitin e ardhshëm”, theksoi eurodeputeti Kacin.
Më pas deputeti i Parlamentit Europian ka bërë një apel politikës shqiptarë që të bëhet ambicioze sepse jemi në një moment historik në proceset e integrimit. “Ky është një moment historik, një start ku ne mund të bashkojmë të gjitha mesazhet politike për rajonin e Ballkanit dhe ta përshpejtojmë procesin e anëtarësimit. Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë nëse duam të pranojmë anëtarë të rinj në një periudhë të caktuar kohore. Problemi ynë aktualisht është që ne nuk kemi ende një shtet kandidat që ta ketë përshkuar këtë rrugë të gjatë të negociatave të anëtarësimit dhe të jetë gati për anëtarësim. Nuk është një problem i Bashkimit Europian. Ne nuk kemi ende një shtet kandidat të përgatitur që mund të bëhet anëtari i ri i Bashkimit Europian përveç Kroacisë. Ndaj, ju lutem, bëjuni më aktivë, më ambicioz, më kërkues për të korrur sa më shumë rezultate për transformimin ekonomik dhe shoqëror të vendeve tuaja për ti sjellë ato në nivelin e anëtarësimit, në mënyrë që edhe ne të zgjerohemi më tej”, apeloi ai. I pyetur në lidhje me Kosovën duke u nisur edhe nga qëndrimi i komisionarit Fule, a do të ketë kushtëzim për normalizimin e marrëdhënieve Serbi- Kosovë më i qartë, Jelko Kacin nënvizoi se  “nuk ka nevojë për qartësi në këtë rast. Ka një pjekuri të mjaftueshme nga të dyja palët. Unë kam folur kokë për kokë me të dy kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës. Besoj, se ne do marrim mesazhe pozitive nga të dyja palët këtë javë dhe do të shohim të dyja palët bashkë në një periudhë të shkurtër kohore”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›