E Martë, 3 Nëntor 2026

Investimi te “Selman Stërmasi”, Ristani: Do të rrisë vlerën e pronës dhe zhvillimin e zonës

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani tha sot se projekti për rilindjen e stadiumit “Selman Stërmasi” do të rrisë vlerën e pronës dhe do t’i japë zhvillim zonës.

Në fjalën e saj në fazën finale të Garës Ndërkombëtare për Projektide Arkitekturore për Rilindjen e Stadiumit “Selman Stërmasi”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Ristani tha se “ky stadium është një aset, pasi ndodhet në qendër të Tiranës në një zonë kaq të kërkuar e lakmuar ku vlera e pronës është trefishuar vitet e fundit”.

“Stadiumi ishte pjesa e paintegruar në investimet e reja siç janë shkollat e reja “Edith Durham”, “Emin Duraku”, por edhe rehabilitimi i blloqeve që janë përreth. Historia e ish-stadiumit “Dinamo” erdhi si pasojë e nevojës dhe pamjaftueshmërisë së stadiumit “Qemal Stafa” në vitet ’50. Ajo që ndodh sot është një replikë me kritere të tjera e zhvillimit të zonës së stadiumit “Qemal Stafa” dhe faktit si funksionon, se si ajo me gjithë suksesin e saj si qendër jo vetëm zhvillimi ekonomik, jo vetëm dëfrimi, por patjetër edhe në mbështetje të të gjithë aktiviteteve të cilësisë së rritjes së aktiviteteve sportive kërkon një trajtim që të ndodhë edhe me një pol tjetër atë të Tiranës së Re”.

Ristani u shpreh se “kur stadiumi u ndërtua në një zonë të pabanuar, të vetmet ndërtesa të ndërtuara ishin dy vila tek Pallatet e Aviatorëve, më pas e gjithë zona u rivitalizua. Sot është pranë qendrës së Tiranës, të njëjtin zhvillim mund të ketë edhe stadiumi “Selman Stërmasi”.

/k.s//a.f//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›