E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhbogar e mirëpret mosdekretimin e Kodit Penal

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, njëherësh i dërguari special i BE-së, ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për kthimin e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal, për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

“BE-ja mbetet thellë e përkushtuar në promovimin dhe mbajtjen e lirisë së shprehjes dhe të mediave si vlerë me rëndësi kryesore për konsolidimin e demokracisë së Kosovës”, tha zoti Zhbogar, nëpërmjet njëdeklarate për media.

Më tej, zoti Zhbogar konsideron se “megjithse shpifja dhe ofendimi si të tilla janë larguar nga Kodi, ne ende kemi frikë se dispozitat për përgjegjësi penale dhe burimet e informacionit lejojnë hapësirë për interpretim dhe mund të ndikojnë negativisht në lirinë e të shprehurit dhe lirinë e mediave në Kosovë”, dhe ka shtuar se “ato nuk janë në linjë me rekomandimet e Këshillit të Evropës për lrinë e mediave dhe depenalizimin e shpifjes dhe ofendimit”.

Zoti Zhbogar tha se fuqishëm e mbështet vendimin e presidentes Jahjaga për t`i kthyer këto nene për rishqyrtim në Kuvend.

Ai, gjithashtu ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të shqyrtojë këtë çështje “në harmoni me ligjet dhe praktikat më të mira të BE-së”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›