E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, OSBE mirëpret kthimin e kodit penal në Parlament

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Almhofer mirëpriti sot vendimin për të kthyer në rishikim në Kuvendin e Kosovës dispozita të caktuara të kodit të ri penal të cilat kërcënojnë të zvogëlojnë lirinë e mediave. “Unë e mirëpres vendimin për t`i kthyer nenet 37 dhe 38 të kodit të ri penal të Kosovës për rishikim në Kuvend. Këto dy nene në formën aktuale minojnë lirinë e mediave”, tha ai.

“Neni 37 i veçon mediat dhe gazetarët nga të gjithë personat tjerë apo entitetet ligjore të cilët potencialisht mund të kryejnë një vepër penale duke shpërndarë disa lloje të caktuara të informatave. Për më tepër, ai lejon që një person të mbaj përgjegjësi penale për ndonjë keqbërje të një personi tjetër.”

“Neni 38 dështon të themelojë një të drejtë pozitive për media për të mos zbuluar burimet e informacionit dhe nuk e specifikon qartë situatën në të cilën medias do t`i kërkohej ta bënte këtë”.

Almhofer i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që edhe një herë t`i rishikojë këto dispozita dhe t`i adresojë brengat e ngritura nga organizatat për lirinë e mediave dhe vetë mediat.

Ai gjithashtu përshëndeti progresin e arritur kohëve të fundit me miratimin e legjislacionit që ka për qëllim sigurimin e pavarësisë së transmetuesit publik dhe Komisionit të Pavarur për Media, duke hapur rrugën për themelimin e një kanali të dytë të transmetuesit publik në gjuhën serbe.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›