E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investitorët gjermanë, interes për sektorin e tekstileve

Bizneset gjermane kanë gjetur avantazhe të konsiderueshme për të zhvilluar aktivitetet e tyre private në sektorin e tekstileve. Pas një turi disa ditor në Shqipëri, një grup prej 20 shoqërish, ku spikatnin firmat e njohura si "Hugo Boss" dhe "Triumph International", investitorët e huaj janë shprehur se "jemi më shumë se sa të befasuar nga potenciali që ofron industria shqiptare e veshjeve në bashkëpunimin e ardhshëm me firmat gjermane". Sipas Kai Armann, drejtori ekzekutiv i fabrikës së tekstileve "Sanetta GmbH & Co", shprehu optimizmin për zhvillimin e këtij sektori në vend. Deklaratat erdhën gjatë konferencës të zhvilluar dje në Tiranë, organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë, me praninë e zv.ministrit, Enno Bozdo. Vizita e kompanive gjermane ishte një pjesë kryesore e Programit për Zhvillimin Ekonomik dhe Politikat e Punësimit në Shqipëri, program të cilin për momentin po e zbaton në Shqipëri Shoqëria për Bashkëpunimin Teknik (GTZ GmbH) me porosi të Ministrisë Federale për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik. Interesi i kompanive gjermane qëndronte në bashkëpunimin me ndërmarrjet shqiptare të veshjeve për këmishët, bluzat, prodhimin e veshjeve për gra, veshjeve të brendshme dhe veshjeve të punës. Nga GTZ-ja u përzgjodhën 20 ndërmarrje shqiptare të prodhimit të veshjeve me seli në Tiranë, Durrës, Shkodër, Krujë dhe Berat, të cilat u vizituan nga firmat gjermane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›