Modernizimi i kompanisë, "Albtelecom" merr kredi 100 milionë euro
Kompania e telefonisë fikse "Albtelecom", e përfshirë me procesin e privatizimit si pjesë e "Çalık Holding", vendosi të marrë një kredi me vlerë 100 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BTDB). Investimi që do të bëhet nga "Albtelecom", duke u pasqyruar edhe te kompanitë e tjera, pritet që t‘i sjellë rritje ekonomisë së Shqipërisë dhe të ketë ndikim në qëndrueshmërinë ekonomike. Marrëveshja e nënshkrua dje me synim ribërjen dhe modernizimin e kësaj kompanie. Nga shuma e përgjithshme, 75 milionë euro do të jepen nga BERZH-i dhe pjesa tjetër prej 25 milionësh do të financohet nga BTDB. I pranishëm në ceremoni ishte edhe drejtuesi më i lartë i shoqërisë "Çalik Holding", z. Ahmet Çalik, i cili tha se, "Albtelecom" në bazë të këtij investimi do të zhvillojë, shtojë dhe përmirësojë rrjetin aktual, do të rritë kapacitetet dhe po ashtu edhe cilësinë e shërbimeve të telekomunikacionit për popullin shqiptar". Sipas tij, ky hap do të ndikojë edhe në zhvillimin e sektorit të telekomunikacionit shqiptar, por edhe në dinamikat ekonomike të vendit. Grupi "Çalik", mori 76% të "Albtelecom" pas privatizimit që nisi me tenderin në vitin 2005, dhe duke dhënë shumën prej 120 milionë eurosh u bë një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në vend. Aktualisht, shoqëria mbulon rreth 10% të popullsisë së Shqipërisë që shënon 3.2 milionë banorë. CETEL po punon që mundësia e lidhjes me "Albtelecom" të arrijë në më shumë se 60% të popullsisë, duke arritur standardet e Evropës Perëndimore.