E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, fatura 800 milionë dollarë

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë është mbledhur dje për të miratuar zonat informale të radhës, të propozuara nga ALUIZNI, duke e çuar në 127 numrin total të tyre. Zonat që u përkasin 6 qarqeve të vendit përfshijnë një sipërfaqe totale prej 30 mijë hektarësh, ku, sipas të dhënave zyrtare, janë ndërtuar mbi 120 mijë objekte pa leje ndërtimi. Këto zona janë me sipërfaqe mbi 5 hektarë. Shaban Memia, kreu i ALUIZNI-t, u shpreh për "Shqip" se nga kjo sipërfaqe do i nënshtrohen procesit të urbanizimit mbi 13 mijë hektarë, të cilat ndodhen brenda vijave të verdha, ose shumë pranë tyre, në qytete të ndryshme të vendit. Sipas të dhënave zyrtare nga ALUIZNI, mbi 30 për qind e sipërfaqes që do i nënshtrohet procesit të legalizimit ndodhet në tokat e ish-pronarëve, të cilët, sipas qeverisë, do të dëmshpërblehen 100 për qind me vlerën e tregut. Po kaq ndodhen në tokë shtetërore. Qytetarët që kanë ndërtuar mbi këto dy kategori sipërfaqesh do të paguajnë një çmim të caktuar përpara se të marrin tapitë e objekteve apo banesave të tyre. Pjesa tjetër e tokës në zonat informale u përket vetë qytetarëve që kanë ndërtuar mbi këtë sipërfaqe. Këta të fundit do të paguajnë vetëm një taksë simbolike për legalizimin e tyre. Por, a ia vlen kjo? "Me përfundimin e legalizimeve ne fusim në tregun e kapitaleve një pasuri prej 6 miliardë eurosh", tha dje Kryeministri i Republikës, gjatë mbledhjes së KRRTRSH-së. Këto asete, deri më tani, kanë qëndruar të fjetura dhe nuk mund të përdoren as në tregun e kolateralit.

Sa do paguhet

Qytetarët që kanë ndërtuar pa leje mbi tokën e ish-pronarëve, por edhe ata që kanë ndërtuar mbi tokën shtetërore, do të paguajnë 100 deri në 400 mijë lekë për të legalizuar objektin e tyre, nëse kjo e fundit është shtëpi. Me këtë tarifë, qytetarët mund të legalizojnë së bashku me objektin e ndërtuar vetëm 300 metra truall, nëse ajo është brenda vijave të verdha dhe 500 metër nëse ajo ndodhet pranë vijave të verdha. Por, për ata qytetarë, të cilët kanë ndërtuar mbi këto troje objekte që nuk janë shtëpi, por shërbejnë për aktivitete tregtare dhe qëllime të tjera përfitimi apo biznesi, fatura do të jetë shumë më e lartë. Këta të fundit do të paguajnë truallin, mbi të cilin kanë ndërtuar objektin e tyre me vlerën aktuale të tregut. Ndërsa ata qytetarë që brenda një sipërfaqeje prej 400 apo 500 metër katrorë kanë ndërtuar dy shtëpi, kanë të drejtë të legalizojnë me çmime preferenciale vetëm njërën prej tyre. Për shtëpinë tjetër ata do të paguajnë vlerën e tregut të truallit. Ndërsa për zonat që do të urbanizohen do të ketë edhe disa taksa të tjera simbolike, si tarifa e shërbimit me 4 mijë lekë dhe 2 deri në 5 për qind të vlerës së ndërtimit, si taksë ndikimi në infrastrukturë. Sipas Memisë, ka tre rrugë për shlyerjen e detyrimeve financiare të legalizimit. E para është ajo me para në dorë. Por për ata qytetarë që nuk kanë mundësi të paguajnë menjëherë, do të lihet një afat kohor shlyerjeje me këste. Afati do të jetë një vit, ose tre vjet. Sipas të dhënave zyrtare, brenda sipërfaqes së miratuar tashmë nga KRRTRSH-ja ndodhen më shumë se 120 mijë objekte. Ndërkohë, bëhet e ditur se presin për t‘u miratuar nga KRRTRSH-ja dhe 80 mijë objekte të tjera. Këtyre objekteve u shtohen edhe 150 mijë pasuri të tjera, që janë kryesisht shtesa pallatesh.

Fatura financiare

Por sa do të jetë në total fatura financiare që do të paguhet në shtet për përfundimin e procesit të legalizimit. Burime konfidenciale bëjnë të ditur për "Shqip". se në bazë të përllogaritjeve paraprake, shifra totale vërtitet në rreth 700 deri në 800 milionë dollarë, ose gati 8 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Qeveria premton dëmshpërblim në masën 100 për qind të ish-pronarëve, por thotë se paratë e mbledhura nga legalizimet nuk do të shkojnë vetëm për kompensimin e ish-pronarëve, por do të përdoren edhe për një tjetër qëllim. "Një pjesë e këtyre të ardhurave do të përdoren për shpronësime", tha dje Kryeministri. Në Programin Buxhetor Afatmesëm, për tre vitet e ardhshme ka vënë në dispozicion për dëmshpërblimin e ish-pronarëve në total 30 milionë dollarë, ose më pak se 5 për qind e shumës që mendohet të përfitohet nga legalizimet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›