E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Rritja e çmimeve, qeveria të reagojë

Lëvizja Socialiste për Integrim denoncon represionin që qeveria e djathtë vazhdon të ushtrojë ndaj Komunitetit të Biznesit dhe, në të njëjtën kohë, duke thelluar më tej varfërinë e shqiptarëve. Adriana Civici nënvizoi se sikur të mos mjaftojë kriza e rëndë botërore e rritjes së çmimeve të lëndëve të para, rritja e çmimit të naftës dhe karburanteve, qeveria nuk merr asnjë masë. "Nuk po mobilizon asnjë nga skemat e rekomanduara nga ndërkombëtarët për zbutjen e efekteve të kësaj krize", tha Civici. Në të kundërt, shtoi ajo, vazhdojnë të jenë prezent, madje duke u shtuar çdo ditë veprimet arbitrare dhe abuzive ndaj komunitetit të biznesit, "të cilat, në kundërshtim me praktikat evropiane, legjitimojnë paaftësinë e organeve të ekzekutivit tatimor e doganor, tashmë të ngritura në sistem", vijoi Civici.

Në këndvështrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, është e patolerueshme vënia në zbatim nga ana e qeverisë e një legjislacioni në kundërshtim të plotë me praktikat dhe vërejtjet e BE-së. Civici vlerësoi se në vargun e gjatë të këtyre veprimeve, çmimet referencë po përdoren thjeshtë dhe vetëm për të mbushur arkën e shtetit, duke deformuar rrënjësisht tregun. Duke penguar gjithashtu, sipas saj, zhvillimin ekonomik të vendit në dëm të mbështetjes dhe nxitjes së industrive e bizneseve vendase, si dhe duke bërë që monopoli e korrupsioni të ulen këmbëkryq. LSI-ja i bën thirrje qeverisë t‘i kthejë sytë nga bota, të mos vazhdojë të shfaqë paaftësi në marrjen e masave, të mos thellojë varfërinë në vend. Ashtu sikurse të llogarisë faturën e kësaj situate dhe të reagojë për rritje të prodhimit vendas, për lehtësim fiskal për ulje të çmimeve dhe kompensim urgjent të shtresave më në nevojë, ashtu siç po veprojnë qeveritë e mbarë botës të alarmuara tashmë për kërcënim nga kriza e urisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›