Pacolli takoi drejtorin e AKI dhe Avokatin e Popullit

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, priti të mërkurën në një takim drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj nga i cili është njohur me punën e kësaj agjencie që tashmë po hyn në vitin e tretë të funksionit, organizimin e saj dhe sfidat që e presin në të ardhmen.
Nga ana e tij, presidenti Pacolli përgëzoi Smakaj dhe drejtuesit e tjerë të kësaj agjencie për punën që po bëjnë dhe u ofroi bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të tij dhe të institucioneve të vendit.
Gjatë ditës, presidenti Pacolli është takuar edhe me Avokatin e Popullit Sami Kurteshi, me ç’rast ka vlerësuar rolin e rëndësishëm që ka për vendin dhe shoqërinë Avokati i Popullit, si një institucion në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të vendit.
Duke qenë se institucioni i Avokatit të Popullit shihet nga gjithë qytetarët si një institucion me rëndësi dhe shpresëdhënës, presidenti Pacolli theksoi nevojën e bashkëpunimit sa të mirë me këtë institucion dhe përkrahjen e punës së tij.
Nga ana e tij, Kurteshi ka folur lidhur me punën dhe shtrirjen e zyrave të institucionit që ai drejton në komuna të ndryshme të Kosovës, si dhe për sfidat me të cilat përballet Avokati i Popullit, në përpjekje për të përfaqësuar e mbrojtur sa më mirë të drejtat e të gjithë qytetarëve të vendit.