E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inxhinieri: Reshjet rrezikojnë Vilën e Zogut në Durrës

Atë që nuk e bëri as komunizmi, duket se mund ta bëjë shiu. Përmbytjet e Shkodrës nuk janë pasojat e vetme të reshjeve të rëna muajt e fundit. Dhjetëra kilometra më poshtë, në Durrës, ato kanë kërcënuar seriozisht banesat, pallatet, por edhe vetë Vilën e Zogut, e cila gjendet në majën e kodrës së qytetit. Specialisti i vjetër i fushës së ndërtimit, ing. Jonuz Terpo, deklaroi për “standard” se “kodra gjendet vërtet e rrezikuar, madje veç objekteve si banesa 2-3-katëshe dhe pallate, atje rrezikohet edhe vetë Vila e ish-Mbretit Zog, e ndërtuar 78 vjet më parë, një objekt me vlera të rralla në Shqipëri e Ballkan”.
Sipas tij, “strukturat e shtetit, duke nisur nga bashkia, duhet të ndërhyjnë pa asnjë minutë vonesë dhe atje nuk duhen dhënë leje në asnjë mënyrë për ndërtime dhe ndërhyrje të tjera”. Duket se reshjet e dendura të shiut dhe pjerrësia e madhe e dy faqeve të kodrës perëndimore të Durrësit kanë sinjalizuar prej disa ditësh nevojën urgjente të ndërhyrjes për të penguar erozionin mbi banesa familjare.
Janë më shumë se 170 apartamente banimi, por edhe banesa 2-3-katëshe që po përjetojnë situatën me reshje të dendura si kërcënim për banesat e tyre. Shkarjet e kodrës janë bërë të dukshme në anën e Currilave, por edhe në pjesën perëndimore e lindore të saj. Sipas specialistit Terpo, “situata të tilla në vjeshtë e në dimër favorizohen edhe nga prerja e pishave predhave dhe pemëve 100 vjeçare, duke zhdukur kështu mijëra metra katrore me hapësira të gjelbra”.
Parku i madh në kodrën e Durrësit, por edhe vetë Vila e Zogut, që ka shërbyer si kurorë e gjelbër për qytetin e Durrësit, është dëmtuar pjesë-pjesë nga prerjet pa kriter si dhe nga hapja e themeleve të pallateve shumëkatëshe. Në harkun kohor të 20 viteve janë shkëputur nga faqja e kodrës mijëra metra kub dhera si dhe shumë pemë kanë zbuluar rrënjët për të paralajmëruar katastrofë humane.
Banorët e rrezikuar nga gërryerja e dherave nën këmbët e banesave të tyre ndihen të pafuqishëm edhe për faktin se bashkia, prefektura, qarku dhe së fundi drejtoria e ALUIZNI-t kanë deklaruar “moslegalizim të ndërtimeve atje”. Para 4 viteve një pallat 5-katësh tek ish-kirurgjia e vjetër, nën faqen e kodrës, rrezikoi të fundosej në baltën dhe dherat që rrëshqitën pas shirave.
Familjet u shpërngulën përkohësisht për t’u rikthyer, pasi ekipi i emergjencave civile largoi dherat dhe liroi hyrjet e pallateve. Specialistët kanë pohuar se toka argjilore dhe pjerrësia e madhe në dy faqet e kodrës së populluar nga banesat e shumta rrezikojnë, pasi kanë bazë të dobët. Vetëm një vit më parë lokalet përgjatë rrugës Bërryl - Currila u fundosën në pellgun e madh të dherave, ndërkohë që as bashkia dhe as institucionet e tjera nuk kanë mundur të ndalin ndërtimet në kodër dhe në anë të saj.
“Dhe pikërisht në atë zonë mësohet se janë miratuar leje ndërtimi për pallate. ALUIZNI prej 2 vitesh vazhdon të ushtrojë presion, duke mos pranuar të kalojë në proces legalizimi as këto pallate dhe as 170 shtëpi banimi për të vetmin fakt se nuk paraqesin siguri për banorët atje”, - deklaroi drejtori Andi Lila.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›