E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendosja e lenteve, operacioni më i shpeshtë në QSUT

Vitin e kaluar, shumica e pacientëve në QSUT kanë rendur për tek okulisti. Kjo rezulton nga analiza vjetore e qendrës spitalore më të madhe në vend që u publikua dje. Ndërkaq, QSUT-ja vijon të “abuzohet” nga flukset e pacientëve pa rekomandim, ndonëse zyrtarisht janë marrë një sërë masash për të lehtësuar punën e mjekëve në të.
Vetëm gjatë vitit të kaluar në këto spitale rreth 92 943 qytetarë kanë kryer konsulta, 166 513 kanë bërë vizita në urgjencë dhe në total 55 për qind e rasteve kanë ardhur nga rrethet. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, dje, gjatë analizës vjetore, deklaroi se mbipopullimi i këtyre spitaleve ka sjellë shterim burimesh dhe mungesë efiçence.
Kostot
Mbi 200 mijë pacientë u janë drejtuar gjatë 2009-s këtyre spitaleve. Sipas kreut të QSUT-së, pjesa më e madhe e tyre mund të ishin trajtuar në spitalet e rretheve. Madje, gjatë analizës, Dashi thotë se ndër 20 operacionet më të shpeshta të kryera vitin e kaluar janë ndërhyrje kirurgjikale të thjeshta, si vendosja e lenteve apo apendektomia.
Vetëm në 2009-n për vendosje lentesh janë kryer 1830 operacione, për apendektominë 1132 operacione, duke bërë që ky spital të harxhojë kosto mesatare për një ditë qëndrimi në shërbimin e kirurgjisë 10242 lekë, ndërsa kostoja mesatare për një pacient shkon 87864 lekë.
Ndërkohë, rreth 36 për qind apo 5160 operacione të realizuara në spitalet universitare mund të ishin kryer në ato rajonale. Nga ana tjetër, drejtori Ilir Dashi tha se në krahasim me vitin 2008, gjatë 2009-s ka rënie të numrit të vizitave edhe për shkak të futjes së spitaleve në skemën e sigurimeve dhe zbatimit të sistemit të referimit.
Më tej, ai deklaroi se do të ketë rishikim të sistemit të pagave dhe shpërblimeve të stafit mjekësor bazuar në kualifikimet e tyre. Për të zgjidhur problemin e mbipopullimit, Dashi tha: “Gjatë këtij viti do të synohet që në QSUT të jepen vetëm shërbime që i takojnë QSUT-së, ku do të ketë konsulta me infrastrukturë dinjitoze për pritjen, informimin dhe shoqërimin e pacientëve. Gjithashtu, konsultat do të jenë të koordinuara me sistem të kompjuterizuar dhe dokumentacion që kontrollon qartë lëvizjet e pacientëve”.
Spitali i ri
Urgjencat këtë vit do të jenë ndryshe, pas hyrjes në funksionim të spitalit të ri. Ky spital do të funksionojë me parimin e “ciklit të mbyllur” të urgjencës. Kreu i QSUT-së vlerësoi këtë spital si mundësi të për të demonstruar një mendësi dhe standard të ri, ndërkohë që deri në çeljen e spitalit të ri dukuria që urgjencat shtojnë shtrimet, pasi janë shtrënguar dyert e konsultave, do të marrë fund.
Gjithashtu, pajisjet e ekzaminimeve nëpër urgjenca do të qëndrojnë të hapura 24 orë. “Struktura e shërbimeve të urgjencës do të rishikohet dhe modifikohet shumë shpejt për t’i fuqizuar me personel dhe kategori personeli si dhe do të ketë rishikim të sigurisë në këtë shërbim”, - tha Dashi.
Ndër përparësitë e deklaruara për t’u realizuar këtë vit, janë pajisja e çdo individi, urgjence, pavijoni apo konsulte me dokumentacionin e plotë të veprimtarisë së tij mjekësore në spital. Gjithashtu, çdo shërbim do të respektojë me rigorozitet sistemin e grumbullimit të të dhënave.

Somario

Pacientët në QSUT

Shtrime nga rrethet – 22 837
Shtrime nga Tirana – 22 507
Operacione nga rrethet – 7 859
Operacione nga Tirana – 6 541

20 operacionet më të shpeshta në QSUT gjatë vitit 2009

Vendosje e lentës 1830 12,7
Apendektomia 1132 7,9
Herniotomi + plastike 679 4,7
Ekscizion + suturim 580 4,0
Kolecistektomia 482 3,3
Varicektomia dhe striping VSM 447 3,1
Ekscizion i masës tumorale 392 2,7
Marrja e masës për biopsi 367 2,5
Kolecistektomia retrograde 338 2,3
Heqje e masës tumorale 307 2,1
Tiroidektomia subtotale 224 1,6
Adenektomia 209 1,5
Tonsilektomia 205 1,4
Circumcisio 170 1,2
Drenim i abscesit 167 1,2
Histerektomia 150 1.0
Mastectomia 150 1,0
Herniektomia + diskektomia lumbare 149 1.0
Dacryocystotomiaanastomoze 148 1,0
TUR i papilomës 147 1,0

Kostot

Spitali Kosto mesatare për 1 pacient Kosto mesatare për 1 ditë qëndrimi

S. Brendshme 37687 6205
Kirurgji 87864 10242
Onkologji 42975 18943
Pediatria 46482 8002
Infektiv 79080 13023
Neurologji 89389 10713
Neuro-Kirurgji 59103 7833
Psikiatri 35230 3122
Total 66362 10471

Vasili: Rajonizim i shërbimeve shëndetësore

“Në thelbin e reformës në sistemin shëndetësor është dhe mbetet rajonizimi i shërbimeve shëndetësore”, - tha dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në analizën vjetore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. “Kjo do të thotë që gjithnjë e më shumë probleme duhet të zgjidhen në spitalet rajonale dhe degogjestionimi i QSUT-së është sfida e pandryshuar e jona”, - theksoi Vasili. Sipas të cilit, QSUT është dhe duhet të mbetet qendra kombëtare elitare e mjekësisë shqiptare. “Sa më pak rutinë të panevojshme të ketë kjo qendër dhe sa më shumë të profilohet deri tek elitarizimi që i përket, aq më mirë i bën asaj vetë dhe po aq mirë u bën dhe shqiptarëve; sa më shumë rutinë të panevojshme, aq më shumë do t’i bjerë vlera dhe aq më shumë profili i lartë i saj profesional do të bjerë”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë. Sipas tij, vetë QSUT duhet të bëjë rolin e saj për të ndihmuar në rajonizimin e shërbimit. “Duhet të evitojmë çdo ardhje në panevojshme drejt Tiranës dhe shifrat flasin për mbingarkesë të panevojshme”, - theksoi Vasili. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha se QSUT i ka të gjithë atributet, treguesit dhe mundësitë që të vazhdojë të jetë lider në sistemin tonë shëndetësor. QSUT është pasqyrë e sistemit për plotësinë e shërbimeve që ofron, kapacitetin spitalor që ka, historinë e funksionimit, ndaj dhe kërkesat për të janë të një forme tjetër dhe të një ekzigjence më të lartë. QSUT është pjesë e sistemit shëndetësor që administrohet në planin menaxherial në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ndaj dhe kërkesat ndaj saj janë pjesë e një kontraktuali e një pjese të mirëplanifikuar që shkon drejt kritereve menaxheriale që na imponojnë që çdo para e shpenzuar të llogaritet më mirë se më parë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›