E Diel, 1 Nëntor 2026

HEC-i i Skavicës, qeveria shpenzon 500 milionë euro

Qeveria shqiptare do të shpenzojë 500 milionë euro për të ndërtuar e vetme hidrocentralin e Skavicës, i cili do të prodhojë energjinë më të madhe elektrike dhe do të parandalojë përmbytjet në zonën e qarkut të Shkodrës. Ndërtimi i kësaj vepre do të nisë brenda këtij mandati qeverisës. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha njoftoi se pas tentativave të shumta për ta dhënë ndërtimin e këtij hidrocentrali me koncesion, u arrit në përfundimin se për projektin që parashikon qeveria, është më e udhës që kjo e fundit ta ndërtojë këtë objekt madhor. Sipas tij, situata është më premtuese që qeveria ta konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigande. Z. Berisha vuri në dukje se Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës, KESH-i dhe agjenci të tjera duhet ta shqyrtojnë me hollësi, duhet të hapet tenderi për projektin, nga studimet fillestare deri tek projekti i zbatimit ose të përcaktohen parimet dhe të tenderohet me çelësa në dorë. “Ne, - tha ai, - duhet ta ndërtojmë Skavicën”.
Kreu i qeverisë bëri të ditur më tej se ndërtimi i këtij HEC-i do të japë një kontribut kryesor në prodhimin e energjisë nga njëra anë dhe parandalimin e përmbytjeve nga ana tjetër. “Mendoj se ne duhet ta fillojmë gjatë këtij mandati. Shpresoj që mandatin tjetër ajo të jetë vepra kryesore publike që ndërtohet në Shqipëri”, - tha Berisha. Sipas tij, hidrocentrali i Skavicës do të jetë projekti më i rëndësishëm i kaskadës së Drinit, që do të synojë minimizimin e përmbytjeve si dhe prodhim më të madh të energjisë elektrike. “Ne jemi para dy alternativave. E para është të shkojmë sërish në tender. Por ka edhe një alternativë tjetër, që të jem i sinqertë me ju, më është dukur gjithnjë më e mira, që qeveria shqiptare të marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre të mrekullueshme energjitike”, - u shpreh Kryeministri, duke shtuar se krahas infrastrukturës rrugore në njërën anë, një projekt gjigand si Skavica, me një kosto minimale gjysmë miliardi euro, nuk ishte i mundshëm, por situata është më premtuese që qeveria të konsiderojë vetë ndërtimin e kësaj vepre gjigande. Berisha e cilësoi Skavicën si mëmën e të gjitha digave të kaskadës, pasi garanton optimizimin e funksionimit të saj. Ndërtimi i kësaj vepre gjigande publike do të rriste me të paktën 400 megavat prodhimin e energjisë elektrike.
Ideja për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës ka qarkulluar të paktën për 30 vjet. Gjatë qeverisjes socialiste u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi me kompaninë prestigjioze italiane, të cilin qeveria demokratike e konkretizoi, duke e shndërruar në tender. Por probleme të brendshme të konsorciumit italian bënë që qeveria shqiptare të rihapte tenderin për Skavicën, kohë që përkoi me një periudhë të vështirë për kompanitë e interesuara, për shkak të krizës financiare ndërkombëtare. Sot qeveria po konsideron seriozisht të marrë në dorë ndërtimin e këtij hidrocentrali, duke e vendosur atë në projektet më të rëndësishme krahas ndërtimit të infrastrukturës rrugore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›